Kronike
Si në filma/ Si e ndihmoi partnerja Talo Çelën të groposte në fshat paratë e grabitura në Rinas?
Në mesin e 33 personave të dyshuar si pjesë e organizatës kriminale të drejtuar nga Franc e Hajdar Çopja, gjendet edhe emri i Matilda H, e cila rezulton të jetë partnerja e të shumëkërkuarit të drejtësisë Talo Çela, emri i të cilit u bë i njohur pas megagrabitjes në aeroportin e Rinasit të miliona eurove.
Ndaj Matilda H, është caktuar masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit dhe detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, për shkak se ka vajzën e mitur në ngarkim. Matilda H., dyshohet për akuzën e pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim me partnerin e saj Talo Çela në vitin 2020.
Nga hetimet rezulton se Matilda H., është nënë e një vajze të mitur që ka sjellë në jetë nga raporti me Talo Çelën.
“Nga dhënat e përftuara nga kqyrja dhe analizimi i bisedave Sky ECC rezulton se Matilda H., është mamaja e vajzës së shtetasit Talo Çela. Nga verifikimi në sistemin elektronik të DPGJC rezulton se A.H vajza e shtetasit Talo Çela, ka të regjistruar si atësi personin me emrin Korab, person i cili nuk ekziston”, thekson SPAK.
Matilda H., nga hetimet rezulton të jetë person i besuar i Talo Çelës, pasi menaxhon paratë e të shumëkërkuarit, bëhet fjalë për vlera të konsiderueshme “cash”. Madje, ajo dyshohet se ka ndihmuar të shumëkërkuarin të groposë në një fshat të Gjirokastrës paratë që Çela grabiti në barkun e një avioni brenda aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza.
Ajo ka investuar në hapjen e një dyqani në zonën e Liqenit të Thatë, për të cilin kanë dhënë ndihmë N.Hoxha e Xhimi Hoxha. Po ashtu, ka blerë një apartament në Sarandë, para të cilat dyshohet të jenë paguar nga Talo Cela, ndërsa prona rezulton e regjistruar në një emër fiktiv.
Matilda H, ka ndihmuar në fshehjen e shumave të mëdha të parave, duke u groposur në një fshat të Gjirokastrës. Në një nga komunikimet Matilda H i shkruan Talo Celës: “Te paktën të kemi prona se ato nuk të lënë pa lek; Se ato i groposa un, që më dhe ti”.
Ajo ka patur para cash në shtëpi në vlerën e 100 mijë eurove, ndërsa ka pranuar dhe shuma të tjera parash dhe automjeve nga Talo Cela. Gjatë komunikimeve, Talo Çela e këshillon Matildën të ketë kujdes me personin që ajo jeton, dhe se duhet të kalojë cdo gjë në emër të vajzës.
Prokuroria ka dyshime të forta se paratë janë produkt i aktivitetit kriminal të Talo Celës, si vrasjet me pagesë apo megagrabitja në Rinas, me grupin kriminal të Admir Murataj, ky i fundit mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.