Kosova
Si struci kokën në rërë/ Kush e fshehu vizitën e Scholz-it në Serbi
Analisti politik dhe bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politika Demokratike (DPC) nga Berlini, Bodo Weber, vlerësoi se jo vetëm autoritetet serbe e fshehën ardhjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Serbi deri në ditën e fundit, por edhe autoritetet gjermane dhe Komisioni Europian.
Në një intervistë për portalin serb Danas, ai tha se vizita ishte paralajmëruar vetëm dy ditë përpara mbërritjes në Beograd dhe se ishte një “njoftim i pazakontë afatshkurtër” dhe shtoi se ky misteriozitet i është dukur i dyshimtë.
“Pas këtij misterioziteti fshihet gjithmonë e njëjta karakteristikë: së pari, është një lloj marrëveshje nga ato që njihen si të ndyra në të cilat aktorët e përfshirë janë plotësisht të vetëdijshëm për “papastërtinë” e sipërmarrjes së tyre, dhe së dyti, aktorët perëndimorë të përfshirë nuk kujdesen për dëmet e mëdha që mbeten pas këtyre marrëveshjeve të ashtuquajtura të lira, por që qëllimet parësore duken më vonë”- tha Weber.
Ai vlerësoi gjithashtu se “gara për litium” i ngjan etheve të dikurshme të arit, por se sot “nuk ka më koloni”.
“Tani janë regjimet, të korruptuarit, të cilët kërkojnë pjesën e tyre të byrekut. Kam frikë se qeveria e kancelarit Scholz, duke përqafuar regjimin autokratik-korruptiv të Vuçiçit, po përsërit gabimin e qeverisë së Angela Merkel në vitin 2014, kur, pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Putin, në vend që të zvogëlonte varësinë nga energjia ruse, e thelloi bashkëpunimim në fushën e energjisë”- deklaroi Bodo Weber.