Connect with us

Aktualitet

Si u lirua Fatjon Murati? Manovra e drejtësisë, u shpëtua me akuzën ‘armëmbajtje në banesë’

Gjykata e Tiranës ka sqaruar dhe justifikuar lirimin nga burgu të Fatjon Muratit, një personazh me aktivitet të theksuar kriminal në Itali dhe Shqipëri, i cili besohet se ishte edhe shënjestër i atentatit të djeshëm në Tiranë. 32-vjeçari Fatjon Murati u arrestua nga policia në 8 tetor të vitit 2022, pasi ishte shpallur në kërkim si përfshirë në një arsenal armësh që policia kishte gjetur në Tiranë në korrik po të vitit 2022. Kur u arrestua, Murati po lëvizte në makinë me Endrit Doklen, ish-drejtuesin e bandës së Durrësit dhe me kunatin e Dokles, Gentian Reçin. Murati akuzohej si bashkëpunëtor me Kristjan Gjinin, i cili kishte ngritur bazën e armatimit në Tiranë. Si provë ishte gjurma e gishtit e Muratit.
Në 28 dhjetor 2022, gjyqtarja Migena Laska ka liruar nga burgu Fatjon Muratin, duke vendosur për të masën e sigurisë arrest shtëpie, masë e cila nuk është respektuar nga Murati pasi është larguar drejt Kosovës dhe nga Kosova në drejtim të paditur. Gjykata e Tiranës ka sqaruar se gjyqtarja Laska e ka liruar nga burgu Fajton Muratin pasi prokuroria ka zbutur akuzën. Sipas Gjykatës së Tiranës, prokuroria e ka akuzuar Fatjon Muratin për mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit, parashikuar në nenin 278/1 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet dënim nga 5 deri në 7 vite burg.

Më pas, sipas gjykatës, prokuroria ka zbutur akuzën, duke e akuzuar Fatjon Muratin për paragrafin e tretë të nenit 278 të Kodit Penal. Paragrafi i tretë parashikon që “mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”. Mbetet i dyshimtë fakti se pse prokuroria ka zbutur akuzën, duke e çliruar Muratin nga implikimi në bazën e armatimit në Tiranë, duke e akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje në banesë, thua se kishte një çifte pa leje në shtëpi, kur nga ana tjetër kishte prova shkencore për implikimin e të akuzuarit në arsenalin e armëve.

Janë edhe 4 rrethana të tjera rënduese që gjykata nuk i ka marrë parasysh kur ka liruar nga burgu Fatjon Muratin. Së pari, Murati ishte në kërkim ndërkombëtar për aktivitet kriminal në Itali. Së dyti, Murati ishte dënuar disa herë në Itali për trafik droge dhe vepra të tjera penale. Së treti, Murati ishte skeduar si i dyshuar për masakrën e Fushë-Krujës me tre të vrarë. Së katërti, Murati ishte një personazh me rrezikshmëri të theksuar për një masë më të lehtë sigurie. Thyerja e masës së sigurisë arrest me burg e tregoi këtë.

Ndërkaq, gjyqtarja e Tiranës Migena Laska, në maj 2022, ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë me vlerë rreth 5 milionë euro të vëllezërve Sokol dhe Elson Marku, dy emra të njohur për drejtësisë. Vëllezërit Marku janë hetuar që në vitin 2019 për trafik droge, pastrim parash dhe dhënie të parave me fajde. Sokol Marku ka qenë i dënuar në vitin 2013 me 5 vite burg për veprën Penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve”.

Policia dhe prokuroria kishin konstatuar se 18 automjete, 3 sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje dhe 1 ndërtesë trekatëshe, janë produkt i parave të trafikut të drogës dhe të përfitimit nga dhënia e parave me fajde. Megjithatë, ndryshe ka arsyetuar gjyqtarja Migena Laska, e cila ka pushuar çështjen, duke shpëtuar pasurinë me vlerë rreth 5 milionë euro nga sekuestrimi dhe më pas konfiskimi. gjyqtarja Migena Laska është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut në 20 maj të vitit 2021. Vendimi i KPK-së mori formë të prerë në korrik të vitit të kaluar pasi nuk u ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik.

Advertisement