Connect with us

Kronike

Si u vra Kristian Marku? Zbulohet plani i mirëmenduar nga persona me përvojë nga bota e krimit

Dëshmitë dhe provat grafike të sjella ekskluzivisht nga emisioni “Në Shënjestër” për publikun kanë ndihmuar policinë në identifikimin e mjetit të përdorur në vrasjen e Kristian Markut i cili u ekzekutua mbrëmjen e 13 janarit 2025, në autostradën pranë fshatit Novoselë, Vlorë, K në një atentat të mirëorganizuar me armë zjarri.

Përveç përfshirjes në konfliktin e përgjakshëm mes dy fiseve, Kristian Marku kishte edhe probleme me ligjin, i përfshirë në disa aktivitete kriminale gjatë viteve të fundit.

Por ekzekutimi i tij, mënyra e organizimit dhe përdorimi i makinës së djegur me targa të vjedhura, lë të kuptohet se atentati nuk ishte vetëm pjesë e një hakmarrjeje primitive, por një plan i menduar me kujdes dhe ekzekutuar nga individë me përvojë.

 

 

Viktima ishte pjesë e një konflikti të përgjakshëm mes fiseve Reçi, Gjini dhe Bardhi, një sagë hakmarrjeje e gjatë me rrënjë në Rrëshen dhe degë në Europë.

Hetimet e policisë zbuluan se atentatorët përdorën një Volkswagen Golf 5, ngjyrë e zezë, që u gjet i djegur vetëm pak minuta pas vrasjes, në afërsi të fshatit Panaja, Vlorë.

Fillimisht nuk u identifikua dot numri i shasisë, por me rikqyrje u zbulua se makina ishte prodhuar në vitin 2004 dhe kishte hyrë në Shqipëri nga Kosova.

Sipas Interpol Lubjana, automjeti ishte në pronësi të një shtetasi nga Podujeva e Kosovës, J.B., ndërsa përdorej nga i vëllai, E.B., banues në Slloveni.

Sipas dëshmisë së E.B., makina ishte blerë në nëntor 2022 në Maribor të Sllovenisë për 1200 euro dhe u soll në Kosovë.

Më pas, makina iu shit për 1700-1800 euro një shtetasi nga Kukësi, të quajtur Erald Cenaj, i cili, sipas E.B., kishte kërkuar automjete të tipit Golf dhe Touran për t’i marrë pa dokumente noteriale.

Transaksioni u bë përmes komunikimit në WhatsApp, me porosi për dorëzim në pikën kufitare të Morinës. Automjeti u dorëzua nga J.B., i cili mori pagesën dhe i dërgoi të vëllait paratë, targat dhe dokumentet përmes linjës së autobusëve Kosovë–Slloveni.

“Më datë 4 Dhjetor 2022, unë i dërgova Eraldit në numrin e tij në whats app, që unë e kisha të regjistruar ‘Shqipnia’, disa foto të makinës ‘Golf’ që nuk kishin targa. Pasi pa fotot Eraldi më telefonoi duke më pyetur për gjendjen fizike të makinës.

Pasi biseduam për detajet, ramë dakord që ai ta blinte makinën  për shumën 1700-1800 euro dhe makinën t’ia sillja deri në pikën e kalimit kufitar të Morinës, në Kukës”, thuhet në dosjen hetimore.

Vetëm dy ditë pasi i kishte dorëzuar kundrejt dakordësisë së rënë më herët makinën Eraldit, E. thotë se vëllai i tij J. i kishte sjellë nëpërmjet linjës së autobusëve Kosovë-Slloveni shumën e parave të shitjes së makinës.

Por jo më larg se disa ditë pasi Eraldi mori në dorëzim makinën ‘Volkswagen Golf’, E. thotë se ai e telefonoi dhe po i ankohej për difekte të vazhdueshme të makinës.

Ndërkohë që nga krahu tjetër, E. pasi kishte marrë targat e automjetit, kishte bërë dorëzimin e tyre te autoritetet përkatëse dhe më pas kishte bërë çregjistrimin e tyre në Slloveni

Pasi vëllai im J. më solli nëpërmjet linjës së autobusëve Kosovë-Slloveni,  shumën e parave me të cilën u shit makina, si edhe targat dhe lejen e qarkullimit, disa ditë më pas Eraldi më mori në telefon  dhe filloi të më ankohej për defektet e makinës.

Ndërkohë që më datë 8 Dhjetor 2022, unë dorëzova në Slloveni targat si edhe çregjistrova lejen e qarkullimit. Procedurë për të cilën disponoj edhe dokumente për këtë shërbim.

E.B. tha për grupin hetues se vetëm disa ditë pasi kishte çregjistruar në Slloveni lejen e vjetër të qarkullimit të automjetit tip Volkswagen Golf 5, ai i ka dërguar anasjelltas këtë leje Eraldit. i cili ka ardhur deri në Kosovë për ta marrë personalisht.

Gjë që ky i fundit ia ka konfirmuar E. edhe në telefon.  Por ajo që ndodh në vazhdim është se E. B del se ia ka shitur makinën Volkswagen Golf 5, shtetasit Erald Cenaj nga Kukësi, pa dokumente noteriale.  Ndërkohë që ai pranon se blerjen e kësaj makine në Slloveni ashtu dhe çregjistrimin e saj e ka bërë në emër të vëllait të tij J..

Unë me Erald Cenaj jam njohur që në vitin 2021, periudha kur ai ka vizituar faqen ku unë ekspozoj makinat. Unë gjithmonë automjetet Eraldit, në të gjithë bashkëpunimin tonë, ia kam shitur në këtë mënyrë, pa akte noteriale. Për makinat që i kam shitur unë disponoj edhe fotot si edhe bisedën që kam bërë me Eraldin në whats app.

Një tjetër person që u pyet në lidhje me automjetin tip Volkswagen Golf 5, që u përdor në ekzekutimin e Kristian Markut në fillimin e muajit janar të vitit 2025, ishte edhe vetë J. B.. I cili i qëndroi thënieve të vëllait të tij E. dhe pranoi se makinën ia dorëzoi në pikën kufitare të Morinës në Kukës, shtetasit shqiptar Erald Cenaj.

Me të cilin kishte komunikuar në aplikacionin Viber, dhe nga i njëjti kishte marrë edhe shumën prej 1800 euro, për automjetin që i kishte dorëzuar.

Por dëshmia më interesante që mund të hidhte sadopak dritë mbi faktin se si automjeti përfundoi në duart e atentatorëve, ishte vetë intervistimi nga grupi hetues, i shtetasit Erald Cenaj.

Ai që e mori automjetin Volkswagen Golf 5 në Morinë dhe e futi në territorin shqiptar. Erald Cenaj që tha se tregtinë e makinave të përdorura e kishte nisur që në vitin 2021.  Dhe se gjatë kësaj kohe kishte blerë mjaft makina të tilla nga Fushë-Kosova, apo nga persona që i sillnin nga jashtë territorit shqiptar.

“Tregtinë e makinave të përdorura unë e kam nisur që në vitin 2021. Kryesisht nga Fushë-Kosova, apo persona që i sjellin nga jashtë. Për shitjen e këtyre makinave unë nuk përdor kontrata noteriale, por fatura shitje”, është shprehur Erald Cenaj në dëshminë e tij para grupit të hetuesve.

I pyetur në lidhje me bashkëpunimin me vëllezërit B. nga Podujeva e Kosovës, Erald Cenaj nuk mohoi që kishte njohje me ta.  Por ai po kështu pohoi se nga vëllezërit kishte njohje vetëm me E., jo me J.

E., që sipas tij, nga sa i kujtohej i kishte blerë edhe një automjet Volkswagen tip Golf 5, me ngjyrë gri. Dhe një tjetër po të kësaj marke me ngjyrë të zezë.

“Nga E., me sa më kujtohet. unë kam blerë disa automjete të cilët unë më pas i kam shitur. Midis të cilëve edhe një  Volkswagen tip Golf 5, me ngjyrë gri. Si dhe një tjetër po të kësaj marke me ngjyrë të zezë”, ka deklaruar Erald Cenaj para hetuesve.

Por me interes për grupin hetues ishte pikërisht makina Volkswagen Golf 5 ngjyrë e zezë që Erald Cenaj kishte blerë te E. B. Makinë  e cila disa vite më pas u përdor në ekzekutimin e Kristian Markut, në fshatin Novoselë në Vlorë.

“Unë nuk e mbaj mend se kujt ia kam shitur këtë makinë. Ajo që di është se automjeti Volkswagen Golf 5, me ngjyrë të zezë, nuk i kam bërë doganë. Kurse makinave të tjera që kam blerë te E. B, u kam bërë doganë,  por për asnjë prej këtyre automjeteve nuk kam bërë kontratë shit-blerje”, thuhet në dosjen hetimore referuar dëshmisë së Erald Cenaj.

Por dyshimet e grupit hetues mbetën të tilla se Erald Cenaj nuk po tregonte të vërtetën se kujt ia shiti makinën Volkswagen pasi ia bleu E. B. nga Kosova, rezident në Slloveni.   Ndaj për këtë arsye, ai u mor edhe njëherë në pyetje nga grupi hetues.

Ndoshta me mendimin për të mësuar të reja të tjera lidhur mbi personat që përdorën makinën e krimit, në vazhdim.

“Shtetasi Erald Cenaj u mor sërish në pyetje, por ai tashmë nuk pranoi të flasë. Në deklarimin e tij ai tha se se do të japë shpjegime vetëm në prani të avokatit të zgjedhur nga familjarët e tij”, thuhet në dosjen hetimore për vrasjen e Kristian Markut.

Për këtë arsye më 25 Janar 2025, prokuroria e Vlorës vendosi ndalimin e shtetasit Erald Cenaj, si person i dyshuar se ka kryer veprën penale të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje.

Por pavarësisht këtij dyshimi Erald Cenaj, ngriti pretendimin se E.B dhe J. B,  nuk kishin asnjë dokument që të vërtetonin se  automjetin Volkswagen Golf 5, ia kishin shitur atij.   Çka sipas tij për pasojë nuk mund të merret i mirëqenë pretendimi i tyre sikur ata ia kanë shitur atij këtë makinë.

Erald Cenaj është shprehur se në rrethana të tilla nuk mund të konsiderohet dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, vetëm me dëshminë e dy personave të cilët, sipas pretendimit të tij, patjetër që ata do të tentojnë ta heqin nga vetja automjetin në fjalë për shkak të ngjarjes së ndodhur.

Por ajo që duket se e ngatërron edhe njëherë këtë histori është fakti se pas kontrollit të telefonit të shtetasit kosovar E. B,  del se në komunikimet e tyre në whats app nuk ka dakordësi lidhur mbi shitjen e makinës, që pas disa vitesh u përdor në një krim, në atë të vrasjes më 13 Janar 2025, të 30 vjeçarit Kristian Marku.

“Nga kqyrja e bisedave telefonike nuk rezulton që E. B dhe Erald Cenaj të jenë dakordësuar me njëri-tjetrin për blerjen e kësaj makine. Si dhe nuk kanë biseduar as për çmimin e blerjes dhe as për t’ja dërguar në Shqipëri këtë automjet, sikundër E. B pretendon”, thuhet në dosje.

Po kështu sipas grupit hetues sipas kontrollit që i është bërë aparatit telefonik të E. B, del se në komunikimet që ai ka me Erald Cenaj, shfaqen vetëm disa fotografi të një automjeti. Ku E. B. i thotë Erald Cenaj që kjo është makina. Dhe ky i fundit i kthen përgjigje, që makina ka disa djegie dhe ka nevojë për lyerje. Por që në asnjë moment nuk pohon blerjen e kësaj makine.

Ndërkohë që nga kqyrja e telefonit të E. B rezulton se ai ka dhe dy thirrje pa përgjigje nga Erald Cenaj.

Që do të thotë gjithmonë sipas grupit hetues që ata nuk kanë komunikuar dot as nëpërmjet zërit, në mënyrë që të ligjëronte pretendimin e tij që ka folur me Erald Cenaj. Por edhe pse këto fakte janë kontradiktore me njëra tjetrën, ajo që bie në sy është se grupi hetues i ka ndalur kërkimet e veta vetëm te makina e krimit.

Pa arritur dot të shkojë në gjurmë të tjera, që mund ta çonin te vrasësit që qëlluan mbrëmjen  13 Janarit 2025, ndaj 30 vjeçarit Kristian Marku.  Një lumë i pambarimtë gjaku që ndër vite është shtrirë jo vetëm në qytetin e vogël në veri të vendit por edhe në Evropë. Hakmarrje që deri më tani ka marrë jetë të shumta njerëzore, dhe që fundi ende nuk po i duket…

Advertisement