Aktualitet
“S’ia fal gjakun e motrës”/ I vrau motrën, Vladimir Kurti përballet me Dan Hutrën
Tensionet kanë qenë kryefjalë në gjyqin e sotëm për Dan Hutrën, autori i vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave. Në seancën e sotme, u thirr për të dëshmuar edhe Vladimir Kurti, një i dënuar përjetë, të cilit në mars të vitit të kaluar, Dan Hutra i vrau të motrën. Por i vendosur përballë personit që i mori jetën motrës së tij, Kurti refuzoi të jepte deklarime, ndërsa Hutrës iu referua gjithë kohës si “mostër”. Madje edhe paralajmëroi se nuk do ta falte gjakun e motrës së tij, duke lënë të kuptohet se po planikonte hakmarrje.
“Gjakun e motrës sime nuk than dheu, nuk e fal. Ai është vrasës, ka futur në dhe 4 gra, refuzoj të japë deklarime përballë këtij monstre,”- deklaroi Vladimir Kurti në sallën e gjyqit, ndërsa përballë tij, i mbyllur në kafazin prej qelqi, Dan Hutra ishte i qetë. Madje edhe qeshte teksa Kurti fliste. Në këto kushte, seanca u shty për në datën 5 dhjetor në orën 12:30.
Më 1 Mars të 2023 Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, e cila ishte shtatzënë, si dhe plagosi vetë Elenën dhe nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje. Gjithashtu të plagosur mbetën Kujtime Hysa, nëna ish-bashkëshortes së tij si edhe Alketa Hysa.
Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orësh kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës. Atje kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Selën tentativë që fatmirësisht dështoi. Madje kishte përgatitur edhe skenarin makabër për veten e tij. Kishte hapur një varr, atje ku do të fshihej për t’i shpëtuar Policisë.