Shkrime
Sikur nuk shkon, ti me fuoristradë dhe Çeçua (babai) me dhi
Nga Magdalena Ramohito
Deri sot nuk kam parë asnjë analizë të shoqërisë sonë postkomuniste 32 vjeçare, në planin ekonomik, politik dhe mandej edhe etik. Shpesh e vë re se indiciet për të bërë analiza nuk vijnë nga njerëzit me diploma, apo të shtresës së pasur, por nga njerëz modest, që janë vëzhgues të mirë të marrëdhënieve dhe “luftës” midis shtresave shoqërore, në planin ekonomik, politik edhe etik.
Sot në TV Kombëtare ka 11 emisione politike, nga e hëna në të enjte. Në fakt “politikë “ është një fjalë e madhe për një vend si yni prej tre milionë banorësh me një nivel akademik shumë të ulët. Gjithë çfarë diskutohet në këto emisione rreth një vit e gjysëm është, si do bashkohet PD, si do mundet Edi Rama.
Asnjë emision me temë sociale për be! Asnjë përsiatje për të trajtuar tema rreth marrëdhënieve etike në përgjithësi, ndërsa trajtimin e tyre në fshat as që i shkon kujt ndër mend. Edhe në ndonjë rast, që është tentuar temë sociale, diskutimi ka qenë me panele injorantë të fushës, me një përgatitje minimale, pra aspak profesionale. Shkaku? – Bie audienca!
Asnjë shkrimtar ose analist shqiptar, kryesisht ata që kanë edhe ndonjë vilë në fshat, nuk është futur në brendësi të marëdhënieve ekonomike në fshat, apo të punëve në bujqësi si edhe të prodhimit bujqësor, ku Kryetari i Bashkisë emëron nëpër poste kunatin e tij, baxhanakun, vëllain e baxhanakut, kunatin e vëllait, vjehrrin e motrës etj….gjithë njerëzit më besnik dhe shumë të afërt me të që kanë zënë administratën cep më cep.
Nëse do shohim në retrospektivë se si u soll politika me fshatin në lidhje me ndarjen e tokës, apo privatizimin e gjithë objekteve si pjesë të Marketimit Bujqësor, në rastin më të mirë Ligji 7501, që ja dha tokën fshatarit në përdorim dhe jo me tapi, ishte një vendim politikë, pra për të mos i bërë të pakënaqur shumicën e fshatarëve (ata nuk donin kurrsesi të riktheheshin ish bejlerët dhe agallarët, por ca bejlerë dhe agallarë me tesera partie të konvertuara PS dhe PD u krijuan me shpejtësi të frikshme, falë këtij ligji), në mënyrë që të siguronin pushtetin, dhe në rastin më të keq krijuan Feudin në fshat, ndërsa objektet e Marketingut u privatizuan pa asnjë rregull, duke e lënë të lirë pronarin e ri, të ndërronte destinacionin e tyre, duke bllokuar prodhimin në arë, në pamundësi për ta nxjerë në treg.
Sigurisht, që edhe opozita e kohës ishe në parlament edhe bashkë i kanë votuar ligjet, si VENDIME POLITIKE të momentit, por që krijuan një kosto shumë të madhe sociale, ekonomike dhe etike, ndërsa politika ka luajtur sistematikisht me vuajtet e fshatarëve, herë duke akuzuar pushtetin e herë duke bërë premtime elektorale, për të cilat kanë qenë të vetëdijshëm se nuk do i mbanin. “Lideri historik”, që “përmbysi diktaturën” e ka pranuar gabimin pasi u shpall Non Grata, në takimet me foltoristët.
Tani unë kam vite që i dëgjoj këta “borgjezët dhe aristokratët”, që qajnë e mallkojnë edhe pse i shoh shumë mirë ekonomikisht, po shumë mirë vërtet. Unë takoj njerëz shumë të pasur që qajnë edhe ankohen, edhe pensionistë me shtëpi edhe në fshat edhe në bregdet, të cilat “iua kanë blerë fëmijët, që kanë jashtë”. Kam parë, këtë verën që kaloi në bregdet, një familje numeroze, e cila ulej në bar-kafe bashkë me fëmijët dhe shpërdoronte para në mënyrë krejt të panevojshme, saqë gjërat derdheshin, akulloret hidheshin, ndërsa unë bëhesha gati për tu ngritur, që t’iu mbaja dorën fëmijëve. Pastaj folën me zë të lartë, për cmimet, jetën e vështirë dhe sigurisht “komunistët , nipërit dhe bijtë e bijve” etj…
Këta njerëz flasin për vila politikanësh në Gjirin e Lalëzit, por unë në fakt kam parë aty një qytet me vila. E çuditshme në fakt. Por cfarë bënë shumica e shqiptarëve?! Ata u vunë në kërkim të parasë së shumtë me çdo lloj mjeti, duke fituar aq shumë sa e tejkaluan masën në mënyrë të tillë, sa filluan të bëjnë jetë luksi, me shumë shtëpi, shumë makina, shumë prona, të gjitha të pajustifikuara. Janë këta, që qajnë më së shumti. Është ai DJALI ME FUORISTRADE dhe babai me dhi. Ata zotërojnë shumë prona dhe para, por u mugon STATUSI. Shoqëria jonë është si një mur që lëkundet; një mur me tulla të thyera, ndërsa tullat e mira janë pothuajse periferike. Ky mur nuk mund të mbulohet me autostrada, ura, tunele, aeroporte a ku e di unë se çfarë. Njerëzit kanë humbur sensin e punës, dëgjojnë përditë histori korrupsioni në politikë, nuk ka edukim nga mediat, nga mësuesit, pedagogët. Mungon dija. Unë kam venë re me shqetësim se njerëz me diploma nuk kuptojnë shqipen e shkruar, ose nuk kanë nerva të lexojnë dy rrjeshta. Këtë gjë politika nuk jua tha shqiptarëve. Ajo ju tregoi atyre “Cekun e Bardhë”, para nga qielli dhe jo punë.