Shkrime
Sikur opozita të ndryshonte, Berisha të ikte dhe në krye të PD të vinte një ekip i ri

Përveç diferencës së thellë, ndryshimi nga 4 vjet më parë është se, ndërsa atëherë urimi i Departamentit të Shtetit i kapi palët me vota nëpër duar, këtë herë mungon, megjithëse kutitë u mbyllën dhe boja nëpër gishta është fshirë. Ndërsa gëzon vizitën e Kryeministrit britanik në Shqipëri dhe urimet që ka marrë dhe pritet t’i marrë live të premten, nuk mund të vihet bast për qetësinë e Ramës, përsa kohë urimi amerikan mungon.
Derisa SHBA të vendosë si do të sillet me zgjedhjet, që një nga njerëzit e afërt të Trump, i pësoi në vetë të parë, mund të thuhet se lajmet nga Perëndimi janë të këqija për ata që duan zgjedhje të lira. Qeveritë perëndimore i vlerësuan zgjedhjet, e rikonfirmuan Ramën dhe po shprehin mbështetjen, megjithëse procesi zgjedhor, edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR, edhe në dëshmitë mediatike dhe politike vendase, ishte i keq, i nbushur me incidente dhe skandale, i karakterizuar nga deformini i votës në masën kritike që solli fitoren e thellë të partisë në pushtet.
Më shumë se kurrë mekanizmi i tjetërsimit u shfaq këtë herë si produkt i një partie – shtet që në çdo vendim, ka një qëllim elektoral kundër interesit publik. Kur Kryeministri bën 2 ditë para zgjedhjeve një vendim qeverie për faljen e gjobave të 10 viteve të fundit, kjo nuk është thjesht shkelje e kodit zgjedhor për të cilën Komisioneri Celibashi nuk tha një fjalë. Nuk është as thjesht një procedurë e paligjshme me ministrat e shpërndarë nëpër rrethe, por është mbi të gjitha një precedent që favorizon shkelësit në kurriz të zbatuesve të ligjit. Është blerje e hapur e votës.
Edhe vëzhguesit e huaj e kuptuan dhe e theksuan këtë, por Komisioneri që duhet të garantojë barazinë e palëve në zgjedhje nuk guxoi të pipëtinte. Aq më pak task forca e SPAK, që ishte e zënë duke zbatuar urdhërat e Ramës.
Kur kukullat e banditëve, burra e gra, marrin më shumë vota se të gjithë politikanët dhe personazhet publikë në listat e hapura, përsëri nuk ka hetim, sepse garantuesit e zgjedhjeve të lira SPAK, Prokurori, KQZ dhe polici i shqetëson më shumë Kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, që po ia dridhte Ramës me Tom Doshin, se hyrja e krimit në Parlament, duke përzënë që aty politikanët dhe intelektualët e paarmatosur me banditë.
Këto dhe shumë episode të tjera vetëm sa mishëruan atë që dihej më parë, se Edi Rama, i keqpërdor të gjitha institucionet që kontrollon për ta ruajtur pushtetin absolut duke prishur zgjedhjet. Se që të nesërmen e zgjedhjeve ai do ta rindezë makinerinë e partisë-shtet për zgjedhjet që vijnë, nuk do ta lërë asnjë minutë asnjë nga të rekrutuarit të harrojë se e ka shitur shpirtin dhe duhet të jetë gati për t’i sherbyer pushtetit edhe kur nuk ka zgjedhje. Me një gisht te platforma aktivisti dhe me dorën tjetër duke mbledhur të mirat e pushtetit, rezultati i zgjedhjeve të ardhshme vetëm do të thellohet, shpresa për rotacion do të shuhet përfundimisht, bashkë me besimin tek opozita.
Jo se opozita bëri maksimumin, jo se opozita e justifikoi besimin e votuesve, por sistemi i ndërtuar mbi parimin e shtetit të kapur nga partia, beteja elektorale totalisht e pabarabartë e një shteti të tërë kundër opozitës, i bën të paarsyeshëm edhe argumentet më të drejtë, për përmirësimin e opozitës, për rifreskimin e imazhit, hapjen e saj dhe riorganizimin. Sepse zgjedhjet nuk varen më nga opozita, as nga partitë e reja që nuk e shikojnë akoma problemin te sistemi mbytës që ka krijuar Rama. Zgjedhjet varen vetëm nga partia – shtet që rekruton dhe korrupton gjithmone e më shumë, vret lirinë dhe pastaj thotë: ky popull nuk mund ta ndryshojë kurrë qeverinë e tij pa ndryshuar më parë opozitën që nuk do.
Po sikur opozita të ndryshonte, po sikur Berisha të ikte dhe në krye të PD të vinte një ekip i ri, a do të bënte Edi Rama një proces të drejtë zgjedhor? A do të ndaloheshin patronazhistët të bënin rekrutime me joshje dhe shantazh deri në pikën që rezultati i zgjedhjeve të mos reflektojë as realitetin që Rama përshkruan, deri në pikën që të tejkalojë dhe parashikimin më optimist të Edi Ramës?
Në fakt rezultati tregoi se problemi i madh është pikërisht ky sistem i krijuar për të paravendosur rezultatin, se çfarëdo të ndodhë në opozitë, të dalin parti të reja me figura të panjollosura, apo partitë e vjetra me politikanë të konsumuar, rezultati nuk do të ndryshojë. Prandaj, përpara se të diskutohet cilësia e partive apo liderëve të opozitës, është e domosdoshme të rrëzohet ky sistem, shteti i kapur, partia-shtet. Vetëm pas bashkimit për të rrëzuar sistemin mund të ketë hapësirë demokratike për të diskutuar cilësinë e partive dhe liderëve dhe për t’u ndarë nëpër preferencat politike.

