Politike
Sinamati përjashtohet nga “Primaret” e PD-së se publikoi komente kundër partisë! Akuza ndaj Nokës dhe Vokshit: Do ktheheni në ‘kufoma politike’

Përplasjet me Flamur Nokën dhe disa statuse në rrjetet sociale, kanë bërë që demokrati Admir Sinamati të përjashtohet nga gara e primareve.
Pikërisht kjo çështje është kthyer në shkak për debate në mbledhjen e djeshme të kryesisë së Partisë Demokratike.
Në një postim në rrjetet sociale, Sinamati akuzon Flamur Nokën se përjashtimin nga gara e bëri 30 minuta pas mbledhjes së Kryesisë në bashkëpunim me Albana Vokshin.
Sipas tij, Noka ka insistuar që Sinamati të lihet jashtë garës së primareve, megjithëse diçka e tillë nuk u pranua fillimisht nga kreu Berisha. Megjithatë Noka dhe Vokshi këmbëngulën sipas tij, duke përmendur se Sinamati ka shkelur etikën dhe në fund u vendos që të lihej jashtë garës së primareve.
“Nëse ti Flamur mendon se unë duhet ta këmbej heshtjen time për pazaret e tua dhe kujtdo tjetër që passjell humbjen e sigurtë të zgjedhjeve në Kukës me mbështetjen tënde e ke gabim”, shkruan ai ndër të tjera, teksa shton se Noka pas zgjedhjeve do ‘thyejë qafën’ dhe do kthehet në ‘kufomë politike’.
Reagimi i plotë i Sinamatit:
Duan të më rrëmbejnë “etikën” pasi nuk ia dolën me politikën.
Pasi u përbetua lart e poshtë prej kaq kohësh duke kërkuar bashkëpunëtorë në bazë dhe qendër e nuk ia doli dot, dje, Flamur Noka kishte zgjedhur skenarin më të turpshëm; përjashtimin tim nga kandidimi në Kukës për çështje etike, duke bashkëpunuar me drejtuesen e KOKOE në PD zj. Albana Vokshi.
Pavarsisht kërkesës së kësaj të fundit, dhe insistimit hakërryes të Flamurit, fillimisht kryesia e PD dhe vetë Dr. Berisha ua hodhi poshtë këtë dëshirë; por insistimi ishte aq këmbëngulës nga ana e Nokës sa çuditërisht e çbëri këtë vendim kryesie rreth 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes.
Por, këto njerëz (Albana e Flamuri) të verbuar nga qëllimi e të bindur në solidaritetin e anëtarëve të kryesisë, nuk kishin lexuar CV time, ku qartësisht e kanë patur të shkruar që unë jam pedagog dhe tekstshkrues i lëndës BIOETIKA ( etika e deontologjia) MJEKËSORE në Fakultetin e Mjekësisë.
Vetëm sivjet o Flamur dhe Albana kam ligjëruar leksionet e Etikës dhe kam vlerësuar me nota në librezë për rreth 700 studentë; e ky përjashtimi im për çështje etike merr kuptim vetëm për humbësa e ngelësa etiko-politikë .
Nëse ti Flamur mendon se unë duhet ta këmbej heshtjen time për pazaret e tua dhe kujtdo tjetër që passjell humbjen e sigurtë të zgjedhjeve në Kukës me mbështetjen tënde e ke gabim, sepse kështu unë(profesori i etikës) dhe politikani i terrenit do të kisha firmosur suicidin profesional dhe do të kisha prekur fundin moralo-politik, duke shkelur njëherazi mbi 11 parimet e Etikës dhe mbi besën e demokratëve e qytetarëve të ndershëm të Kukësit.
Ju nuk keni se si t’i zbatoni parimet etike kur nuk i njihni ato, sepse raportin me librin dhe njerzillëkun e keni patur gjithmonë armiqsor Flamur.
Nuk e di por jam i sigurtë nga veprimet që bën, se në bibliotekën tënde të përdorshme mund të keni vetëm një libër; “Zhozef Fushe” të Stefan Zëeig.
Shkelës persistent i etikës politike jeni ju Flamur, që me veprimet tua aktive prej kopjaci të Fushesë, prej kaq kohësh keni bërë vetëm një gjë: i keni larguar PD dhe Dr. Berishës qindra kontributorë dhe bashkëpunëtorë politikë, por me mua do ta keni mision të pamundur.
Edhe një gjë o Flamur: ju e dini se jam i specializuar në Mjekësi ligjore dhe si i tillë shpesh më duhet “të flas” me kufoma, si patolog politik do kisha dëshiruar të mos merrem kurrë me kufoma politike, por nëse ndodh unë ua di gjuhën edhe atyre.
Unë kam bindjen se ju shumë shpejt pavarsisht vendit të sigurtë në listë keni për të “thyer qafën” duke u shndërruar në “kufomë politike”, megjithëse nuk ia dëshiroj askuj, aq më tepër një ish-miku, sidomos në këto kohë të vështira.
Unë KËTU jam e do të qëndroj, për ju nuk e dij.
Tung Flamur!
Hajt se folim (thonë në zhargonin e përditshëm kuksianët )..…

