Connect with us

Aktualitet

Sinjal i fortë nga Gjykata e Lartë/ Paraburgimi nuk mund të jetë zgjidhja e parë

Numri i madh i vendimeve të gjykatave të vendit për të dhënë masën “arrest me burg” kanë shtyrë kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi t’i propozojë Kolegjeve të Bashkuara nisjen e procedurës për ndryshimin e pjesshëm të një praktike gjyqësore të vitit 2011 mbi masat e sigurimit personal.

Në vendimin që mban datën e sotme, Sadushi i referohet një mase arrest me burg ndaj në shtetasi nga Lezha të cilit i janë sekuestruar 7.350 kg lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa.

Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur arrest me burg, Apeli e ka kthyer në arrest shtëpie dhe çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë.

Sadushi argumenton se “përvoja e zbatimit të këtij vendimi (unifikues) në praktikën gjyqësore ka vënë në diskutim nëse disa prej formulimeve të tij i përshtaten plotësisht zhvillimeve të mëvonshme të legjislacionit procedural penal, si dhe standardeve të zhvilluara nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në interpretim të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Duke u ndalur te standardet detyruese të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut, Sadushi thekson se “Në përmbledhje, jurisprudenca e GJEDNJ-së në çështjet Hysa, Gëllçi dhe Muçaj imponon këto teza themelore: (i) dyshimi i arsyeshëm nuk mjafton, i vetëm, për vijimin e paraburgimit; (ii) rreziku duhet të jetë konkret, i individualizuar dhe i provueshëm; (iii) rëndësia abstrakte e veprës nuk justifikon, më vete, burgimin; (iv) masat alternative duhet të shqyrtohen realisht dhe jo formalisht; (v) barra e justifikimit mbetet mbi autoritetet për çdo periudhë kufizimi të lirisë; dhe (vi) justifikimi i paraburgimit duhet të ruajë aktualitet, proporcionalitet dhe kontrollueshmëri në kohë”.

Sipas tij nisma për ndryshimin e pjesshëm të vendimit unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, justifikohet nga nevoja për të rikthyer parashikueshmërinë, kontrollueshmërinë dhe njëtrajtshmërinë e vendimmarrjes mbi masat e sigurimit personal në një fushë ku vendimi prek drejtpërdrejt lirinë personale.

“Praktika gjyqësore duhet të reflektojë në mënyrë të qëndrueshme testin ligjor të domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe karakterit përjashtimor të “arrestit në burg”, si dhe standardin konventor të nenit 5 të KEDNJ-së, që kërkon arsyetim të individualizuar, shmangie të formulave stereotipe dhe shqyrtim real të alternativave”.

Çështjet që duhet të zgjidhin Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë

Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a është në përputhje me këto dispozita dhe me nenin 5 § 3 të KEDNJ qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e “arrestit në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur prej saj është e përshtatshme për rastin konkret?

Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit”, si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?

Kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së “arrestit në burg” dhe a është në përputhje me nenin 5 § 3 të KEDNJ dhe me nenet 228-230 të KPP qëndrimi sipas së cilit papërshtatshmëria e kësaj mase mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri paraqet prova pozitive?

Advertisement