Kosova
Sinjali OGURZI i kancelarit Scholz, çfarë iu tha Kurtit për antarësimin në KiE
Kancelari Gjerman, Olaf Scholz, në një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ky i fundit hapa konkretë drejtë themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kur në pyetje është anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës.
“Kancelari përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit por edhe nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës” – thuhet në njoftimin e Kancelarisë Gjermane.
Për bisedën telefonike fillimisht ishte deklaruar Kurti, duke mos e përmendur fare kërkesën e Scholz për çështjen e Asociacionit në raport me Këshillin e Evropës.
Ai, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, shprehu vetëm shpresën se Gjermania do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin të Evropës.
“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në përputhje me rekomandimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” – ka treguar Kurti për bisedën me kancelarin gjerman.
Kujtojmë se javën e kaluar Kurti zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, I cili gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.