Kosova
Situata në Kosovë/ Borell: Pengesat të hiqen menjëherë
Pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ka reaguar shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Ai ka mirëpritur vendimin e qeverisë së Kosovës për shtyrjen e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator dhe ka thënë se pret që bllokadat e vendosura nga serbët në veri të largohen menjëherë. Përmes një postimi në Twitter, Borrel e cilëson normalizimin e marrëdhënieve me rëndësi të madhe për rrugën drejt integrimit në Be të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Borrell: Mirëpresim vendimin e Kosovës për shtyrjen e afatit deri më 1 shtator. Presim që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë. Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për rrugët e tyre të integrimit në BE.
Welcome Kosovo decision to move measures to 1 September. Expect all roadblocks to be removed immediately.
Open issues should be addressed through EU-facilitated Dialogue&focus on comprehensive normalisation of relations btwn Kosovo&Serbia, essential for their EU integration paths— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) July 31, 2022
Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit, kjo pasi serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.
Shtyrja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.
Policia konfirmoi se në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u keqtrajtuan në kufi. Në disa vende policia tha se është shtënë edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk ka asnjë të lënduar.
Në këtë situatë, dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje u bllokuan. Prandaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i udhëzoi bashkatdhetarët që t’i përdorin pikëkalimet e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.