Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Berat një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, në kuadër të vizionit të Shqipërisë 2030 dhe rrugës drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në prani të disa prej sipërmarrësve dhe inovatorëve më aktivë në vend, kreu i qeverisë vlerësoi rolin që teknologjia dhe inteligjenca artificiale mund të luajnë në modernizimin e administratës dhe përshpejtimin e reformave.

“Shumë shpejt AI mund të bëhet anëtari më efikas i bordit, shumë shpejt mund të vijë dita që qeverinë mund ta kesh AI,” deklaroi Rama, duke shtuar me një ton ironik: “Ministrin ‘X’ e ke AI, nuk ka as kushëri për të futur në punë, as interesa për të prishur proceset.”

Ai theksoi se, edhe pse kjo nuk është ende një objektiv i qeverisë, përdorimi i inteligjencës artificiale për të përmirësuar qeverisjen është një ide që nuk duhet përjashtuar dhe që “mund të merret me shumë kënaqësi përsipër”.