Connect with us

Bota

S’ka paqe! Athina sërish në flakë, mijëra grekë rrethojnë Parlamentin

Nuk kanë të ndalur protestat në Greqi. Mijëra qytetarë u mblodhën para Parlamentit në Athinë mbrëmjen e së premtes për të kërkuar drejtësi në lidhje me aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi, ku humbën jetën 57 persona më 28 shkurt 2023.

Protestuesit, duke përfshirë familjarë të viktimave, studentë dhe qytetarë të thjeshtë, kërkuan transparencë dhe përgjegjësi për mangësitë në infrastrukturën hekurudhore që çuan në aksidentin fatal.

Ata mbanin në duar pankarta me mesazhe si “Duam drejtësi” dhe “Jetët tona kanë vlerë”, duke theksuar nevojën për përmirësime në sigurinë e transportit publik.

Gjatë protestës, një grup individësh të maskuar u përplasën me forcat e policisë, duke hedhur koktej molotov dhe gurë në drejtim të tyre. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Përleshjet u përhapën në rrugët përreth sheshit Sintagma, duke çuar në arrestimin e dhjetëra personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Greqisë, duke përfshirë Selanikun, ku u raportuan incidente të ngjashme me përdorimin e koktejeve molotov dhe ngritjen e barrikadave. Transporti publik u ndërpre në shumë zona, ndërsa fluturimet dhe shërbimet hekurudhore u anuluan.

Sindikatat kryesore të vendit shpallën grevë të përgjithshme, duke kërkuar përmirësime në sigurinë e infrastrukturës dhe përgjegjësi nga autoritetet.

Ndërkohë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis premtoi modernizimin e rrjetit hekurudhor dhe përmirësimin e masave të sigurisë për të shmangur tragjedi të ngjashme në të ardhmen. Megjithatë, publiku mbetet i pakënaqur me ritmin e reformave dhe mungesën e përgjegjësisë politike për aksidentin, ndërsa opozita po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë.

Familjarët e viktimave, si Maria Karystianou, e cila humbi vajzën e saj 21-vjeçare në aksident, kanë qenë në ballë të protestave, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi. Ajo falënderoi sindikatat dhe shoqatat që u bashkuan në protestë, duke përfshirë mjekët e spitaleve publike dhe avokatët që mbajtën një minutë heshtje në gjykata.

Ndërkohë, hetimet për aksidentin vazhdojnë, me akuzat kryesore të ngritura ndaj zyrtarëve hekurudhorë. Publiku kërkon që edhe politikanët të mbajnë përgjegjësi për dështimet sistemike që çuan në tragjedinë e Tempit. Protestat e fundit tregojnë një zemërim të thellë dhe kërkesë për ndryshime rrënjësore në sistemin e transportit dhe përgjegjshmërinë qeveritare.

Qeveria e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit që kanë paraqitur në parlament 4 parti opozitare në lidhje me tragjedinë hekurudhore më të madhe në historinë e vendit , atë të dy viteve më parë në luginën e Tempit me 57 viktima.

Pas 3 ditësh diskutimesh në parlament në një atmosferë tepër të zjarrtë politike dhe fjalimeve të më shumë se 120 deputetevë për 42 orë , 157 ligjëvënës të Demokracisë së Re nga 293 të panishmit kanë votuar kundër mocionit të mosbesimit.

Abstenuan nga votimi pesë deputetët të partisë Spartiatët , një deputet i pavarur dhe ish-kryeministri z. Antonis Samaras i përjashtuar nga Demokracia e Re.

Deri në zgjedhjet e ardhshme, kjo qeveri do të ketë shumicën që i dhanë qytetarët në zgjedhjet e mëparshme, ju pëlqen apo nuk  ju pëlqen juve- i është drejtuar ai në fund të fjalimit opozitarëve socialistë.

Duke kritikuar ashpër opozitën për populizëm, Mitsotakis ka njoftuar se është gati të rishikojë ndryshimet e kushtetutës sa i përket nenit 86 për përgjegjësitë e ministrave në detyrë, si dhe të emërimit të anëtarëve të gjykëtës së lartë, duke kërkuar nga socialistët opozitarë mbështetje për të kryer reformën e vlerësimit të nënpunësve të administratës publike.

Para fjalimit të tij, tre studentë nga të ftuarit në llozhat e parlamentit kanë hedhur fletushka me përmbajtje antiqeveritare në sallë.

Nga ana e tyre gjithë liderët e partive të opozitës kanë shigjetuar qeverinë dhe politikat e saj duke e akuzuar për paaftësi, për mbulimin e shkaqeve të aksidentit dhe  duke e quajtur të rrezikshme për grekët. Gjatl gjithë orëve të pasdites e deri në momentin e votimit mijëra qytetarë kanë protestuar jashtë parlamentit duke kërkuar drejtësi për viktimat e aksidentit, ndërsa protestat kanë degjeneruar edhe në përleshje me forcat policore.

Advertisement