Kosova
S’ka përparim në dialog derisa BE ta sanksionojë regjimin e Kurtit
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç, ka propaganduar se “pa e sanksionuar bashkësia ndërkombëtare regjimin” e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk do të ketë përparim” në dialogun Prishtinë-Beograd, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Korrieri më i madh i propagandës serbe, ka pretenduar se në vitin e fundit “15 për qind e serbëve janë larguar nga Kosova, gjë që flet shumë për një situatë shumë të keqe”.
“Për 12 muaj nuk mund të hyjë në Kosovë asnjë qese patate të skuqura apo biskota plazma. Në Prishtinë, partia që organizoi zjarre për produktet serbe. Në rrethana të tilla, BE-ja mund të përdorë më shumë ndikimin e saj për të paktën respektimin e marrëveshjes së CEFTA-s”, propagandoi Gjuriç, transmeton “KosovoOnline”.
Duke folur për hapat e ardhshëm për përshpejtimin e procesit të negociatave, ai theksoi se Kosova “është temë kyçe në takimet me zyrtarë ndërkombëtarë”.
Kryediplomati serb mendon se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të tregojnë më shumë vëmendje ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi në një fushatë të vazhdueshme promovimi dhe lobimi në qendrat më të fuqishme. Në takimet me zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë, Kosova është temë kyçe. Puna jonë është afatgjatë dhe strategjike, sot më shumë se kurrë investohet në mbijetesën tonë”, shtoi.
Ndryshe, aktualisht dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në ngërç, pasi që palët janë barrikaduar në pozicionet e tyre.
Së fundmi, kryeministri Kurti ka paraqitur tri kushte, ndër të cilat dorëzimi i kryekriminelit Milan Radojiçiç, në mënyrë që të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Nga ana tjetër, Beogradi është duke insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.