Connect with us

Rajon

Skandali i 600 milionëve/ Dorëhiqen 4 ministra grekë, zbulohet rrjeti i abuzimeve me paratë e bujqësisë!

Ministri i Imigracionit dhe Azilit, Makis Voridis, si dhe Zëvendësministrat e Punëve të Jashtme, Tasos Hatzivassiliou i Zhvillimit Rural, Dionysis Stamenitis dhe Qeverisjes Dixhitale Christos Boukoros, kanë paraqitur dorëheqjen nga postet ministrore. Zhvillimet vijnë në mes të një skandali të rëndë për keqmenaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë.

Dorëheqjet e tyre u pranuan menjëherë nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis. Së fundmi, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, George Stratakos, paraqiti dorëheqjen, raportojnë mediat greke.

Komisioni Europian ka vendosur një gjobë prej 415 milionë eurosh ndaj Greqisë, e cila mund të shkojë deri në 600 milionë euro, për shkak të kontrollit të dobët dhe abuzimeve të konstatuara në përdorimin e fondeve bujqësore.

Një dosje hetimore prej 3000 faqesh, e mbërritur nga Prokuroria Europiane në parlamentin grek, përfshin përgjime telefonike të realizuara nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës, ku zbulohet një rrjet i gjerë ndërhyrjesh politike, favorizimesh dhe manipulimesh në ndarjen e subvencioneve.

Bisedat e përgjuara tregojnë për një kulturë të thellë abuzimi nga zyrtarë të lartë, që dyshohet se i kanë përdorur fondet për përfitime personale dhe politike, duke përjashtuar nga ndihma ata fermerë që kishin realisht nevojë.

Në epiqendër të skandalit është ministri Makis Voridis, dikur ministër i Bujqësisë, i cili mbikëqyrte edhe agjencinë përgjegjëse për menaxhimin e fondeve, OPEKEPE. Ai është njohur për qëndrimet e tij të ashpra ndaj emigracionit dhe konsiderohej si një figurë e linjës së fortë brenda partisë Demokracia e Re.

Hetimet po zgjerojnë përfshirjen edhe ndaj ministrave të tjerë dhe zyrtarëve lokalë, për mashtrime me subvencione për ferma fiktive, kullota të paregjistruara dhe projekte bujqësore që nuk janë zbatuar kurrë në terren.

Advertisement