Rajon
Skandali i dytë në Greqi, Mitsotakis nën presion
Kryeministri grek Mitsotakis është përfshirë në një tjetër skandal, pas publikimit të një raporti ku akuzohet se po përgjon të paktën 33 politikanë, biznesmenë dhe gazetarë grekë. Mitsotakis nuk ka pranuar asnjë akuzë duke sinjalizuar se do të ndalojë me ligj pajisjet e përgjimit në Greqi.
Skandali i përgjimeve në Greqi mori një dimension të ri pasi gazeta e majtë Documento, publikoi ditën e hënë një listë me 33 politikanë, biznesmenë dhe gazetarë që dyshohet se janë nën vëzhgim nga shërbimet e inteligjencës së vendit.
Kryeministri grek ka qenë nën presion të vazhdueshëm për të dhënë dorëheqjen, pas publikimit të një skandali të ngjashëm gjatë verës, ku akuzohej se kishte vendosur nën përgjim kundërshtarin e tij politik Nikos Androulakis. Në atë kohë Mitsotakis e mohoi kategorikisht akuzën, por publikimi i fundit e ka thelluar edhe më tej krizën politike në Greqi.
Ky skandal në vendin fqinjë është krahasuar nga mediat e huaja me skandalin politik të watergate në SHBA i cili e detyroi ish-presidentin Richard Nixon të jepte dorëheqjen në vitet 70.
Sipas raportit të fundit, kundërshtarët politikë të Mitsotakis, madje edhe vetë ministri i jashtëm i vendit po përgjohen tashmë nga agjentët grek duke përdorur programin e njohur izraelit me emrin Predator, por edhe me anë të gjurmuesve të tjerë elektronikë.
Vetë kryeministri Mitsotakis tha se artikulli ishte pjesë e një konspiracioni më të gjerë politik për të rrëzuar qeverinë e tij dhe për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme.
Nëse vërtetohen akuzat për këto shkelje, analistët thonë se lideri grek mund të dorëhiqet shumë më përpara zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për vitin e ardhshëm.