Politike
Skandali me gjeneralin e shërbimit sekret/ Ish-kryeministri rumun: Pse Rama kishte nevojë për spiunin Coldea si këshilltar
Ish-kryeministri rumun, Viktor Ponta ka komentuar skandalin ku është i përfshirë gjenerali i shërbimit sekret të Rumanisë, Florian Coldea. Ky i fundit, po ashtu këshilltar i kryeministrit Edi Rama, rezultoi se ishte i përfshirë në trafik drogë me kartelin Sinaloa.
Gjatë intervistës për RealitateaPLUS, Ponta u shpreh se ai e dinte që Florian Coldea kishte lidhje me Edi Ramën. Ish-kryeministri rumin tha se Ramën nuk e shqetëson se çfarë ndodh me hetimet për Coldean në Rumani, kjo sepse sipas tij kryeministri i Shqipërisë ka lidhje të forta në rrafshin ndërkombëtar, veçanërisht në Amerikë.
“Nuk e di pse Rama kishte nevojë për këshilltarin Coldea. Por jam absolutisht i bindur se të gjithë në Rumani e dinin që ai ishte këshilltar i Edi Ramës. E dija dhe unë dhe ja kam konfirmuar kush më ka pyetur. Ju mendoni se Coldea mund të shkonte në Shqipëri si këshilltar pa u miratuar nga Presidenti i Akademisë”, deklaroi ai ndër të tjera, duke aluduar se emërimi i tij si këshilltar është miratuar nga shërbimet sekrete rumune. Prej javësh historia Gjeneralit Florian Coldea është kryefjale lajmeve në Rumani, pasi nga hetimet ka rezultuar se ishte pjesë e një rrjeti që merrej me shpërndarjen e kokainës nga Amerika Latinë ne Shqipëri e më pas në Rumani.
Mediat rumune më shumë se dy javë më parë, raportuan se emri i Coldeas është shfaqur edhe në median shqiptare përpara disa vitesh. Coldea dyshohet se është përfshirë në një rrjet të trafikut të kokainës direkt nga karteli i frikshëm i Sinaloas meksikane. Sipas gazetës rumune, EVZ, gjenerali rumun ishte rekrutuar në këtë rrjet nga Dorian Duçka. Ndërmjetësja e kësaj historie të frikshme trafiku ishte e dashura e gjeneralit, e quajtur Marina Pandarof. Gazeta ka publikuar edhe një foto ku shfaqet gjenerali së bashku me Dorian Duçkën dhe të dashurën e tij, të cilën mediat e etiketojnë si ‘biondja fatale’.