Aktualitet
Skandali me mbetjet toksike/ Mediat në Singapor zbardhin itinerarin: Zbarkuan në portet tona..
Dy anijet e ‘Maersk’ me mbetje toksike të prodhuara nga kompania ‘Kurum’ zbarkuan në portet e Singaporit më 18 dhe 24 Gusht, dhe tashmë kanë marrë rrugën e kthimit për në Shqipëri.
Mediat në Singapor citojnë autoritetet vendase, të cilat zbardhin itenerarin e plotë të anijeve me 102 kontejnerë dhe mbi 800 tonë mbetje toksike nga furrat e çelikut të KURUM dhe që tregtoheshin nga kompania ‘Sokolaj” drejt Tajlandës
Sipas mediave në Singapor, anijet Maersk “Compton” me 41 kontejnerë dhe “Condor” me 61 kontenjerë me mbetje, përdorën portin “Pasir Panjang” për tranzit dhe u ngarkuan në dy anije të tjera, me destinacion kthimin në origjinë.
Të pyetur nga gazetarët nëse Singapori kishte kryer teste për të përcaktuar nëse bëhej fjalë për mbetje toksike apo substance të tjera të dëmshme, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Autoriteti Detar i Singaporit u mjaftuan vetëm me përgjigjen: “Në përputhje me Konventën e Bazelit, Singapori lehtësoi kthimin e kontejnerëve në vendin e origjinës .”
Sipas organizatës Basel Action Network, që dha alarmin për mbetjet tosike, “Shqipëria nuk u informua kurrë për eksportin nga eksportuesi, shtetet tranzit nuk u informuan dhe Tajlanda nuk mori kurrë asnjë njoftim për këto mbetje”.
Zbulimi i 800 ton mbetje toksike, të nisura nga Durrësi drejt Tajlandës vuri nën hetim nga prokuroria kompaninë turke ‘Kurum’, si të dyshuar për prodhimin e tyre.