Kronike
Skandali me Mikro-Kreditë/ Dalin FOTOT, kush janë administratorët që “rropën” mijëra shqiptarë
Janë publikuar fotot e përmbaruesve dhe administratorëve të institucioneve financiare, që grabitën mijëra qytetarë nëpërmjet një skeme mashtrimi.
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e organit të akuzës duke lënë në fuqi 9 masa sigurie, 5 arrest me burg dhe 4 arrest në shtëpi për personat e përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Më konkretisht, në kuadër të operacionit të koduar “LIABILITY-3” është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit Aldo Daka, 35 vjeç, Albert Gega, 36 vjeç, Edmond Mato, 51 vjeç dhe Arben Meskuti , 46 vjeç, të gjithë banues në Tiranë;
Ndërkohë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetaset K.S., 36 vjeçe, Elda Ibro, 42 vjeçe, Alketa Tanushi, 39 vjeçe, dhe Jorsida Dervishi, 35 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë. Në kërkim është shpallur shtetasi A. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, teksa Policia njofton se po punon për kapjen e tij.
Urdhër-arrestet janë lëshuar në lidhje me kallëzimin penal të bërë në vitin 2020 nga Ministria e Drejtësisë ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre.
Sipas policisë së Tiranës në këtë skemë kanë qenë të përfshirë edhe noterë e avokatë. Institucionet financiare aplikonin kamat vonesa tarifa nga 2% + 8% për cdo vit sa i takon vonesave për shlyerje të këtyre detyrimeve.
“3 shoqëri përmbarimore dhe 2 institucione financiare, me ndihmën e një noteri dhe të disa avokatëve, kanë krijuar skemën e shtrëngimit të debitorëve nëpërmjet procesit përmbarimor për marrjen e kredive të reja. Subjekte të ndryshme, në kushtet e mirëbesimit, janë mashtruar për të marrë kredi të reja te institucionet financiare, për të likuiduar kredi të vjetra që ata kishin në banka, dhe këto kredi ishin blerë nga një institucion financiar. Me marrjen e një kredie të re nga ky institucion, zhbllokoheshin përkohësisht pasuritë dhe llogaritë e debitorëve, por më vonë dilte një kërkesë e re për likuidimin e shumave të tjera”, thotë policia.
- Panorama publikon fotot, kush janë përmbaruesit dhe administratorët e institucioneve financiare që “rropën” mijëra qytetarë
Nga aktet e administruara provohet se me veprime konkrete dhe te drejtpërdrejta përmbaruesit Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega, Alban Kote, Kejda Seferi, Alketa Tanushi, kane konsumuar elementet e veprës penale te “Shpërdorimit te detyrës”.
Po ashtu përmbaruesja Keida Seferi, dhe administratoret e shoqërive përmbarimore Star – FS, Aldo Daka, Albert Gega e Edmond Mato, si dhe shtetësia Elda Ibro administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albenia), kane konsumuar elementet e vepres penale te “Vjedhjes”.
Skandali i Mikro-Kredive
Në Shqipëri, aktualisht, një numër operatorësh të prezantuar si “mikrokredit” kanë lulëzuar falë injorancës së përgjithshme të qytetarëve mbi problemet financiare, por edhe mungesës deri në nivel të papërgjegjshmërisë, të veprimeve paralajmëruese dhe parandaluese nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe më gjerësisht, të autoritetit shtetëror.
Këto zyra që në Shqipëri janë prezantuar me termin e rrejshëm “mikrokredi” kanë natyrë zhvatëse dhe shënjestrim me marketing agresiv të qytetarëve më të pambrojtur nëpër zonat më të varfra e periferike të një vendi. Këto zyra japin kredi për shqiptarët naivë apo ata të gjendur në vështirësi me normë interesi mbi 100% në vit.
Kredi me norma të tilla interesi detyrimisht do të dështojnë të paguhen nga një pjesë thelbësore e huamarrësve. Dhe rrjeti ligjor shqiptar sot, në vend që të mbrojë huamarrësit, duket se është vënë në dispozicion të fajdexhinjve.
Sipas ekspertëve, kjo skemë nisi të aplikohet kryesisht pas vitit 2014, periudhë kur ekonomia globale hyri në një stanjacion ekonomik dhe kriza e likujditetit u bë gjithmonë e më pranishme, duke prekur bizneset dhe kreditë individuale. Kjo krizë u shfrytëzua me sukses edhe në Shqipëri, ku filluan të lindnin dhjetëra kompani. Këto kompani, pasi blinin kreditë e këqija nga bankat e nivelit të dytë, filluan ti mbledhnin ato duke shkelur rëndë të drejtat e këtyre kreditorëve. Situata arriti deri aty sa atyre u vendosej gjoba, duke shkuar në masën e 30 për qind.
Ky operacion duhej të kishte mblidhur kreditë e këqija nga kreditorë të mëdhenj, por në fakt përfundoi si një aksion për të grabitur të pamundurit, sidomos kreditorët e vegjël. Nismëtari i këtij operacioni ishte ish-zv. kryeministri i kohës, Arben Ahmetaj. Ai e pa si zgjidhje për problemet e borxhit që kreditorët kishin ndaj bankave, shitjen e këtyre kredive të cilat u konsideruan të këqija te institucione të licensuara për të mbledhur këto borxhe. Pas aprovimit të këtij megaoperacioni për pastrimin e kredive të këqija, në Shqipëri, brenda një periudhe të shkurtër, u shfaqën dhjetra institucione tagrambledhëse.
Dy ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u thirr në një seancë dëgjimore në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat me kërkesë të deputetëve të opozitës, ku mohoi përgjegjësitë e tij për skandalin e mikrokredive.