Connect with us

Aktualitet

Skandali në mjekësi/ Protestë te Ministria e Shëndetësisë: Turp të bësh pazar me jetën

Qytetarët janë mbledhur sot në një protestë para ministrisë së Shëndetësisë pas skandalit në repartin Onkologjik të QSUT-së, ku mjekët drejtonin pacientët në spitale private.

I pranishëm në protestë ishte edhe gazetari Osman Stafa, i cili tha se “është fatkeqësi që mjeku në Shqipëri të thotë largohu nëse ke leke”.

“Këtu mbeten ata që shesin lopën dhe shtëpinë, apo marrin kredi”, tha Stafa.

Po ashtu gazetari ngriti si shqetësim që shumica e ilaçeve për pacientët me kancer nuk rimbursohen.

“Nuk rimbursohen sot ilaçet në Shqipëri të atyre personave që vuajnë nga kanceri. Sistemi ynë shëndetësor ka shumë mjekë që bëjnë mirë punën e tyre”, u shpreh Stafa.

Gazetari bëri thirrje për reagim, pasi nuk mund të bëhet pazar me jetët e njerëzve, ndërsa një apel kishte edhe për ministrinë e Shëndetësisë dhe kryeministrin Rama.

“Kjo është një protestë kundër sistemit. Nuk mund të bësh pazar me jetën e një personi që nuk dihet si do i shkojë jeta.

Thirrja është ndaj ministrisë së shëndetësisë, ndaj kryeministrit Rama, duhet të sigurojnë ilaçet. Aktualisht në QSUT ka qytetarë që nuk bëjnë kimio, sepse mungojnë pajisjet dhe medikamentet. Nëse nuk reagojnë ata që duhet të reagojnë, reagojmë ne”.

Advertisement