Kosova
SKANDALI/ Trump Jr. shtrembëroi historinë e Kosovës për të amnistuar Serbinë e Vuçiç

“Intervista e Donald Trump Jr. me presidentin serb Aleksander Vuçic, përveç tjerash, ishte një përpjekje që, përmes teorive konspirative, të manipulohet e vërteta për bombardimet e NATO-s, që çuan në çlirimin e Kosovës, por edhe tregoi gjithashtu se sa nivel te ulet njohurish kishte ai per Rajonin e Ballkanit Perendimore dhe shija e keqe qe ai la me perdorimin e teorive konspirative. Prej atij podcasti dalin me dhjetra pyetje, përgjigjet e të cilave mund të mos i marrim asnjëherë, por më thelbësorja ndër to është se pse nuk po thotë askush asnjë fjali, pra pse te gjithe po heshtin?” – keshtu shkruan ne nje editorial analisti politike Baton Haxhiu, duke sqaruar se si dikush që e ka përjetuar atë periudhë dhe ka qenë dëshmitar i shumë ngjarjeve kyçe në rajon, e di se ndërhyrja e NATO-s nuk ishte një manovër e rastësishme për të shpëtuar Bill Clinton nga një skandal personal, por një përgjigje e domosdoshme dhe e vonuar ndaj agresionit serb dhe krimeve të tij ndaj njerëzimit. Prandaj, është e nevojshme të kundërshtohen me forcë pretendimet absurde që Trump Jr. përhap pa asnjë bazë faktike.
“Ndërhyrja e NATO-s ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj spastrimit etnik dhe masakrave që regjimi i Millosheviqit po kryente duke vrarë mijëra civilë dhe duke detyruar rreth 800,000 shqiptarë të largoheshin nga vendi. Masakra e Reçakut ishte një moment vendimtar që tronditi botën dhe e bëri të qartë se një ndërhyrje ishte e pashmangshme. Trump Jr. ose është i keqinformuar, ose qëllimisht injoron faktin se vendimi për bombardimet nuk ishte një veprim i njëanshëm i Clinton-it, por një vendim i marrë nga një koalicion ndërkombëtar. Teoria konspirative me Monika Lewinskyn nuk është thjesht një gabim i izoluar i Trump Jr., por një pjesë e një tregimi të vazhdueshëm që Serbia dhe qarqet pro-ruse përhapin për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar mbi të kaluarën e saj kriminale. Këto përpjekje për ta paraqitur Serbinë si viktimë të padrejtësive të Perëndimit synojnë të relativizojnë përgjegjësinë e saj për spastrimin etnik dhe masakrat që ka kryer.
Gabimi i Trump Jr. është i rëndë, sepse përhapja e një narrative të tillë nuk është vetëm e pavërtetë, por edhe e rrezikshme. Kjo jo vetëm që dëmton besueshmërinë e tij, por gjithashtu minon përpjekjet për të ruajtur të vërtetën historike mbi konfliktin në Kosovë” –
ka theksuar ne shkrimin e tij Baton Haxhiu duke potencuar se ajo që e bën intervistën edhe më problematike është mënyra se si Trump Jr. e paraqiti Kosovën brenda Serbise dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si një proces të pakuptimtë.
Teksa Donald Trump prej nentorit eshte presidenti I ri I SHBA, dhe ndersa Serbia po intensifikon përpjekjet për të ndikuar në qarqet republikane, Kosova duhet të jetë e përgatitur për sfida të reja. Serbia e ka kuptuar se si të përdorë lobimin në SHBA për të minuar mbështetjen ndaj Kosovës, dhe kjo intervistë është një dëshmi e kësaj strategjie. Për Kosovën dhe rajonin, është më e rëndësishme se kurrë të kundërshtohen me fakte këto tregime dhe të theksohet e vërteta historike. Lufta për të mbrojtur të vërtetën e asaj që ndodhi në vitet ’90 nuk është vetëm një çështje e së kaluarës, por një betejë e vazhdueshme për të parandaluar që gënjeshtrat dhe manipulimet e propagandës serbe të fitojnë terren në arenën ndërkombëtare. Dhe Trump Jr., me këtë intervistë, tregoi se është i gatshëm të bëhet një mjet i kësaj propaganda” – theksohet ne editorialin e Baton Haxhiut.

