Shkrime
Skënder Minxhozi: Hetoni vjedhjet po mos u tallni me vrasjet
Hetimet e SPAK dhe vendimet e para të gjykatave të drejtësisë së re po fillojnë të godasin në shumë nivele të qeverisjes dyshimet për korrupsion e vjedhje fondesh publike përmes tenderimeve, favorizimeve apo shkeljeve të hapura të ligjit. Po del para nesh një Shqipëri që e kemi njohur gjithmonë, e dobët në qeverisje, e korruptuar dhe me një elitë të padënuar deri dje nga sistemi i drejtësisë.
Është mëse e drejtë ndodhë kështu e jo ndryshe. Kur ndodhesh në pushtet për mbi dhjetë vjet duhet të presësh jo vetëm dafinat për 10 milion turistët dhe votat e zgjedhësve sa herë që ka votime, por edhe të durosh e të ulësh kokën edhe kur prokurorët të arrestojnë zyrtarët dhe të kthejnë në një tabelë qitjeje. E gjitha për shkak të detyrës, e jo për ndonjë përbetim çfarëdo kundër maxhorancës së sotme.
Në anën tjetër një kut i ndryshëm, një sjellje tjetër, shumë e butë dhe neglizhente, ngritje supesh dhe mbyllje sysh nga të gjitha anët, duket se po përdoret për të trajtuar krime të së shkuarës të largët e të afërt, të cilat kanë kushtuar jetë njerëzish. Këtë të martë në gjykatën e apelit vijonin të debatonin palët e përfshira në vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, tre vjet më parë, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Një debat shterpë rreth riprodhimit të rrethanave të vrasjes, vendosjes së vrasësve dhe viktimave, drejtimin që morën plumbat, kush qëlloi i pari etjetj.
Një estradë makabër tenton prej tre vjetësh të kamuflojë burimin e vërtetë të krimit që ndodhi atë ditë tragjike në mes të një qyteti të madh të Shqipërisë. Ndërsa të gjithë merren me këto çikërrima, pasi të tilla janë krahasuar me motivin e vërtetë të ngjarjes, në sfond qëndron shkaktari real që askush nuk guxon ta hetojë dhe ta dënojë: “Struktura për Mbrojtjen e Votës”. Shkurt SMV. Një strukturë paramilitare e krijuar nga Partia Demokratike për të vëzhguar mbi zgjedhjet, siç pretendohej asokohe dhe më vonë nga Basha, Bardhi e të tjerët.
Kjo milici private ka pasur edhe drejtues në Tiranë, në stafin më të ngushtë të Lulzim Bashës, ashtu siç ka funksionuar me mjetet e saj të lëvizjes dhe duke rekrutuar ish-policë të armatosur, të cilët Bardhi atëhere i cilësonte si të pastër e pa precedentë penalë, por që nuk rezultuan të tillë pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit.
Në këtë video (https://www.youtube.com/watch?v=hGZ_qRvHWTg&t=103s), menjëherë pas ngjarjes, Gazmend Bardhi ka dalë publikisht në mbrojtje të kësaj strukture paramilitare, por ka thënë edhe ca të vërteta që as epoka e SPAK-ut s’i ka gjetur të mjaftueshme për hetime. Bardhi thotë në deklaratë, duke folur për dinamikën e ngjarjes se “ka patur të shtëna me armë mes palëve”. Çka përbën një pranim të drejtpërdrejtë të faktit se kjo strukturë ka qenë e armatosur. Ironikisht në fillim të këtij prononcimi Bardhi thotë se asgjë nuk është më e rëndësishme se siguria publike dhe jeta e qytetarëve. Një tallje e hapur në mesin e një zije publike, e cila e çoi në zgrip qytetin e Elbasanit dhe zgjedhjet politike të vitit 2021.
Ish-ministri i drejtësisë, i cili sot lufton korrupsionin pa kompromis (megjithëse hesht me stoicizëm për akuzën ndaj Nokës për vilën 760 mijë euroshe), pra ky ish-ministër që sot reklamon papushim respektin e ligjit dhe kushtetutës, ka dalë tre vjet më parë në mbrojtje të një strukture që mbante era fashizëm, pasi kishte marrë në mënyrën më arbitrare dhe abuzive atributet e patrullimit, ndalimit të mjeteve e kontrollit të qytetarëve. Këto të drejta ekskluzive i ka vetëm policia dhe organet ligjzbatuese, e jo strukturat paralele private të partive politike, biznesit apo më keq akoma, të grupeve kriminale.
Pjerin Xhuvani nuk do të ishte vrarë nëse nëpër qytetin e Elbasanit nuk do të gjezdiste banda e furgonave të PD. Po t’i heqim “ekuacionit Xhuvani” Strukturën e Mbrojtjes së Votës, në 21 prill 2021 nuk do të kishte asnjë të vrarë në Elbasan dhe ato zgjedhje nuk do të kishin njolla gjaku mbi koshiencë.
Tallje faktike me episode të rënda me sfond politik si ky i Elbasanit janë kthyer në një normë në dy dekadat e fundit. 21 janari dhe Gërdeci janë të pandëshkuar edhe pas shumë vitesh, sepse qasja ndaj tyre ka qenë shpërfillëse, hipokrite, e pasinqertë.
Fatkeqësisht në këtë drejtim duket se edhe për SPAK benzina ka ujë. Pesë vjet pas fillimit të punës, prokuroria e posaçme nuk ka arritur të hedhë dritë mbi këto ngjarje, madje edhe ka refuzuar ta bëjë këtë gjë siç qe rasti i 21 janarit, ku Gjykata e Lartë e detyroi SPAK që të nisë hetimet, pas vendimit të Gjykatës Evropiane. Dhe kjo e vendos shtetin shqiptar në një pozitë të vështirë morale për të qenë i besueshëm dhe i vërtetë në përpjekjet për t’u ndarë me epokën 33 vjeçare të pandëshkueshmërisë.