Sport
‘Skifterët’ grabisin me armë yllin e Barcelonës

Pierre Emerick Aubameyang ra pre e një grabitje të dhunshme mëngjesin e hershëm të sotëm.
Gjithçka ndodhi në shtëpinë e tij në Castelldefels, sipas “El País”.
Grabitja ndodhi në shtëpinë e futbollistit të Barçës, i cili u poshtërua me armë te koka dhe u rrah nga një grup personash me kapuç.
Burimet policore thonë se kamerat e shtëpisë kanë pikasur të paktën katër “skifterë”, të cilët u hodhën në kopshtin e shtëpisë për të kërcënuar futbollistin gabonez me armë zjarri dhe e goditën me shufra hekuri.
Grabitja ka qenë me dhunë të madhe, agresorët kanë kërcënuar edhe bashkëshorten e futbollistit, derisa kanë arritur të hapin një kasafortë, nga e cila kanë arritur të marrin disa bizhuteri.
Sipas ‘RAC 1’, si “Auba” dhe gruaja e tij janë lidhur dhe mbajtur të shtrirë përtokë për një orë. Përveç kësaj, të njëjtat informacione flasin për goditjen e futbollistit gabonez nga një shufër hekuri në mjekër.
Fatmirësisht ata janë mirë dhe kanë qëndruar gjithë natën zgjuar, duke dëshmuar. Në episodin e pakëndshëm, bashkë me Aubameyang dhe gruan e tij ishin fëmijët e tyre. Kriminelët, të cilët flisnin italisht mes veti, sipas disa dëshmitarëve janë arratisur me një Audi A3 të bardhë dhe policia është ende në kërkim të tyre.
Ka qenë gruaja e “Auba”, ajo që ka marrë në telefon policinë në orën 1 të mëngjesit, pasi grabitësit kishin kryer punë dhe ishin larguar.

