Kronike
‘Skifterët’ që bënin kërdinë vihen në pranga, grabisnin ora ‘Rolex’ dhe sende me vlerë
Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pasi akuzohen për një seri grabitjesh të dhunshme. Në shënjestër ishin persona me sende me vlerë, veçanërisht orë të markave luksoze.
Rasti që solli goditjen finale të bandës ndodhi në shtator. I dhunuari ishte një burrë që po largohej nga një klub nate në Meldola, i cili u sulmua brutalisht pranë makinës së tij. Ai u rrah me grushte dhe shkelma, ndërsa autorët i morën me forcë orën “Rolex”.
Fillimisht ngjarja u konsiderua si një konflikt i rastësishëm, por hetimet zbuluan se ishte pjesë e një skeme të organizuar grabitjeje.
Sipas autoriteteve italiane, sulmi u krye nga dy persona që e pritën viktimën në rrugë, ndërsa një i tretë qëndronte në cep të rrugës për të bërë roje. Të tre autorët e dyshuar janë shtetas shqiptarë, të moshave 22, 26 dhe 47 vjeç. Dy më të rinjtë, që nuk kanë vendbanim në Itali, janë lënë në burg, ndërsa i treti, ndodhet në arrest shtëpie.
Autoritetet italiane njoftuan se hetimet vijojnë, pasi dyshohet se banda mund të jetë e përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme në zonën përreth.