Connect with us

Kosova

Slloba i ri dërgoi Arkanin në Kosovë/ Kurti për raportet Vuçiç-Radoiçiç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se raportet mes presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeterroristit serb, Milan Radoiçiç, të cilët kanë ngritur në një shkallë tjetër bashkëpunimin, të kujtojnë raportet mes ish-udhëheqësit fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç dhe Zheljko “Arkan” Raznatoviçit, kreu famëkeq i luftës paramilitare serbe.

Në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda“, kreu i ekzekutivit kosovar, duke iu referuar sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, tha se “Marrëdhënia mes Vuçiçit dhe Radoiçiçit nuk është origjinale; këtë e kemi parë shumë herë më parë. Slloba i ri në Beograd ka Arkanin e tij të ri në Kosovë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai ka konsideruar se qëllimi i Serbisë është realizimi i projektit nacionalist e fashist të serbëve për “botën serbe”, sipas modelit të rusëve për “botën ruse” mbi të cilën ka nisur agresionin kundër Ukrainës në fund të muajit shkurt vitin e kaluar. Prandaj, ai ka thënë se Serbia paraqet kërcënim të njëjtë për fqinjët rajonalë.

“Serbia kërkon statusin e ‘Rusisë së vogël’ në Ballkanin Perëndimor, ku entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të bëhet ‘Bjellorusia e vogël’. Vuçiçi në vitet 1990, mbrojti idenë e ‘Serbisë së Madhe’, të cilën ai tani, duke ndjekur shembullin e ‘botës ruse’ e quan ‘bota serbe’. Sot Serbia përsëri ëndërron për një ‘Serbi të Madhe’” – deklaroi kryeministri Albin Kurti

Advertisement