Aktualitet
Sollën dy dërgesa me ko’kainë, SPAK e kishte nën vëzhgim grupin kriminal
Detaje të reja mësohen nga operacioni i antidrogës në vendin tonë i realizuar nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit. Mësohet se SPAK ishte në dijeni të lëvizjeve të grupit kriminal, por i lanë ata të veprojnë të lirë. Grupi kriminal ka arritur të sjellë dy ngarkesat e fundit në shtator dhe në nëntor, ku në vendin tonë u transportuan 48 ton lëkurë gjedhi, të cilat përmbanin kokainë brenda. SPAK i ka lënë ata të veprojë të lirë, pasi kishte si qëllim të gjurmonte deri në fund lëvizjet e grupit dhe anëtarët e tij. Ndërsa më 15 nëntor SPAK në bashkëpunimme autoritetet spanjolle dhe me Policinë e Shtetit ndërhynë, ku u arrestuan 10 persona, 7 shqiptarë dhe 3 nga Amerika Latine.
Sipas Prokurorisë së Posaçme në më shumë se 1 vit hetime është zbuluar se grupi bashkëpunonte me organizata kriminale në Amerikën Latinë për të trafikuar drogë në Shqipëri. Ndryshe nga droga e fshehur në fruta, kokaina e këtij grupi vinte e kamufluar në “lëkurë gjedhi të kriposur”. Në Shqipëri, “laborantët” e përpunonin duke e kthyer në gjendjen e saj fillestare për ta transportuar më pas në vendet e Bashkimit Europian. Përveçse në Krujë dhe në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit që kishin role të mirë përcaktuara. Disa ishin financues, disa transportues, përpunues, të tjerë shpërndarës.