Bota
Sondazhi/ Gjysma e europianëve e shohin Trump si ‘armik të Europës’
Administrata Trump ka publikuar një Strategji të re të Sigurisë Kombëtare për Shtetet e Bashkuara, në të cilën e përshkruan Evropën si një kontinent në rënie, paralajmëron se kombet evropiane po përballen me “zhdukje qytetërimi” për shkak të migrimit dhe propozon të “kultivojë rezistencë ndaj trajektores aktuale të Evropës brenda kombeve evropiane”.
Por çfarë mendojnë europianët për Donald Trump-in?
Gati gjysma e europianëve e shohin Donald Trump-in si “një armik të Europës”, një pjesë edhe më e madhe e konsideron rrezikun e një lufte me Rusinë si të lartë dhe më shumë se dy të tretat besojnë se vendi i tyre nuk do të ishte në gjendje të mbrohej në rast të një lufte të tillë, sipas një sondazhi.
Anketa në nëntë vende, e realizuar për platformën e debatit mbi çështjet evropiane Le Grand Continent me qendër në Paris, zbuloi gjithashtu se gati tre të katërtat e të anketuarve duan që vendi i tyre të qëndrojë në BE, ndërsa pothuajse po aq mendojnë se dalja nga unioni e ka dëmtuar Britaninë.
Sondazhi gjeti se mesatarisht 48% e njerëzve në të nëntë vendet e shohin Trump-in si një kundërshtar të hapur – duke filluar nga nivelet më të larta prej 62% në Belgjikë dhe 57% në Francë, deri tek më të ulëtat prej 37% në Kroaci dhe 19% në Poloni.
Megjithatë, evropianët ende e shohin marrëdhënien me SHBA-në si strategjikisht të rëndësishme: kur u pyetën se çfarë pozicioni duhet të mbajë BE-ja ndaj qeverisë amerikane, opsioni më i preferuar (48%) ishte kompromisi.
Sondazhi në Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Poloni, Portugali, Kroaci, Belgjikë dhe Holandë zbuloi gjithashtu se një shumicë relative (51%) mendonte se rreziku i një lufte të hapur me Rusinë në vitet e ardhshme ishte i lartë, dhe 18% e konsideronin atë shumë të lartë.