LAJMI I FUNDIT
Sondazhi/ Më shumë serbë mendojnë se Serbia do ta njohë Kosovën
Gati gjysma e të anketuarve në Serbi besojnë se Kosova është e humbur për Serbinë, ndërsa vetëm një e treta mendojnë se jo, sipas një sondazhi të kryer nga Instituti për Çështje Evropiane. Në sondazhin e kryer në Serbi, 1200 të anketuarit u pyetën për Kosovën.
Njerëzit në grupmoshën 30-44 besojnë se Kosova është e humbur për Serbinë, ndërsa grupmosha mbi 60 vjeç ende mendojnë se ka shpresë që “Kosova të kthehet nën Serbi”. Autorët e sondazhit kanë thënë se trendi nuk ka ndryshuar qe 8 vjet, shkruan “N1”.
Serbët megjithatë janë më të ndarë në pyetjen nëse Serbia do ta njohë Kosovën si të pavarur. 32.3 për qind e tyre mendojnë se kjo ka gjasa të ndodhë, 39.8 se kjo s’do të ndodhë e 27.9 për qind kanë thënë se nuk dinë. Pikëpamjet për njohjen kanë ndryshuar. Tani më shumë serbë mendojnë se kjo ka gjasa të ndodhë, por nuk është treguar se sa ka qenë përqindja në të kaluarën në këtë pikë.
Gati 70 për qind (69.8%) kanë thënë se nuk e përkrahin pranimin e Kosovës si shtet, si kusht për pranimin në Bashkimin Evropian.
Shumica e të anketuarve nuk kanë ide për planin e shtetit të Serbisë për Kosovën dhe vetëm 19.3 për qind kanë thënë se e dinë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka plan.
Rreth 75 për qind e të anketuarve përkrahin idenë për paqe të përhershme me shqiptarët, ndërsa 9.3 për qind e kanë kundërshtuar. Gati gjysma e të anketuarve nuk kanë pasqyrë të qartë për planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.