Politike
Sonila Meço: Mos numëroni karriget në stadium por njerëzit që kanë ikur nga ky vend
Sonila Meço është revoltuar pas debatit në rrjetet sociale, për shkak të braktisjes së Sali Berishës në hapjen e fushatës zgjedhore.
“Të harxhosh kohë dhe doza energjie duke numëruar njerëzit në ulëset e një stadiumi ku simbolikisht nis fushata për qytetet e dërrmuara nga 8 vjet qeverisje moniste nuk shpie kund mirë.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin një nga një, emër për emër ata që ikën, u sikterisën dhe ende çapiten për t’ikur nga ky vend.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin kullat e ndërtimet e betonit nga 2015-a e këndej, që po bëjnë azmatikë fëmijët e veten tuaj.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin qindarkë për qindarkë taksat e shqiptarëve shkuar dëm inceneratorësh jo ekzistentë, abuzimesh publikuar nga KLSH, koncesionesh e PPP-sh pa asnjë vlerë të shtuar në ekonomi, korrupsioni e ryshfeti.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin investitorët vendas e të huaj seriozë, që ikën a u syrgjynosën me një urdhër verbal në shkelje të çdo konvente, ligji e kontratash.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin e telendiseshin patronazhistë e aktiv1stë, që përgjojnë lirinë tonë me uri hienash.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin parqet e lulishtet në qytete, pemët, koshat e plehrave, makinat e aksidentet në rrugë.
Do kish qenë shumë më efikase të numëroheshin viktimat e pafajshme të sulmeve mafioze, të vrarët mes qyteteve, fëmijët e mbetur jetimë, punëtorët e vrarë në vendin e punës prej kushteve mizerabël.
Çdo përpjekje për ‘të ndezur’ tek numrat e ulëseve plot a bosh në një stadium ku nis simbolikisht fushata zgjedhore e opozitës në një vend monist, të kapur fyti e këmbësh nga një pushtet i korruptuar e ngjyer krimi të organizuar, pa shoqëri civile, pa sindikata, me media si zyra shtypi propagande dhe të braktisur intelektualësh e mendimtarësh…
Pra çdo përpjekje për të ndërtuar tek këta numra ‘alibinë’ a ‘shansin’ e humbjes së sigurt të opozitës është një dështim i plotë për të ofruar alternativën ndaj së keqes ulëritëse e të parelativizueshme mbirë egër në jetën që ju jepet veç një herë.
Dhe dëshmon edhe përtacinë për t’i shkuar shqiptarit në derë e mos e numëruar e trajtuar si dele”, shkruan ajo.