Connect with us

Aktualitet

Sonila Meço: Rama nuk është “nona”, por ja pse na mund gjithmonë

Sonila Meço, e zhgënjyer nga fitorja e socialistëve në zgjedhje, shkruan se Rama nuk është “nona” që të fitojë i vetëm.

Por ajo thotë se ai blen ndërkombëtarët, opozitën, gazetarët (larg qoftë gazetarët e pavarur si Sonila), dhe në fund populli dorëzohet, pasi sipas saj, nuk ka frymë që ta mposhtë sistemin e ngritur nga Rama.

“Zgjedhet nuk i fiton një krijesë e epërme, një “nona”, që të xhonglon para syve dhe të thotë “ashu osht nji muhabet” kur e pyet i dhjaksur nga magjia e bastit n’kok…
Edhe Rama, që i fiton fap e fap, nuk është “nona”. Dhe nuk i fiton Rama, në fakt. Ai iu shtrydh përfitimet. Por ato i fitojnë blerjet e shitjet e votës, eurot që zhvlerësohen pa pikë mëshire, paratë e buxhetit, krimi i organizuar bash mirë në terren, patronazhistët e devotshëm, aktiv1stët duarartë, administrata me farë e fis, gjykatës e prokurorë, që ndërhyjnë kur duhet për të “ngordhur” kundërshtarin para, gjatë e pas ditës së votimeve. Ato i fitojnë komisionerë, numërues të shkathët, KAS-i, KQZ-ja çapajeve. Zgjedhjet i fitojnë edhe ata, që hyjnë për të mbledhur votat e opozitës në rezervuaret e tyre, që ose i bashkohen pushtetit o shkojnë dëm.

Zgjedhjet i fitojnë ndërkombëtarët, që ndërsa janë emëruar arbitra ulen tek stolat e ultrasve të pushtetit. Ose policojnë kampin kundërshtar, duke e nxjerrë me karton të kuq nga loja kur i lodhen këmbët kapitenit të skuadrës së pushtetit. Zgjedhjet i fiton sistemi elektoral e reforma territoriale, që ta ndajnë votën në shpërpjestim të lajthitur, psh mund të kesh gjysmat e votave dhe merr 1/3 e përfaqësuesve në kuvend, bashki a qeveri qytetesh.

Zgjedhjet i fiton sistemi i rënë dhe me cen elektronik, boja që fshihet, “treni bullgar”, që nuk i prish terezinë asnjë arbitri a moviole, por edhe në ua prishtë çfarë? Zgjedhjet i fiton edhe mafia. Zgjedhjet i fiton media, që vdes të kapet. Zgjedhjet fitohen edhe me financime, krijime partish “opozitare” dy muaj para votimeve. Zgjedhjet fitohen me propagandë të tërthortë. Me spinim të padukshëm. Me karaktere blozë të gatshëm të dërrmojnë çdo parim e rregull loje. Zgjedhjet fitohen me këtë lloj antisistemi dhe fituesi nuk gjykohet. Antisistemin e mban një armatë e tërë. Jo një individ i vetëm. Industria me liçensë për të bërë “tërmet”, pavarësisht viktimave të pafajshme.

Patjetër, që në një sistem edhe të arnuar, ndryshkur, përmbysur e tërbuar zgjedhjet mund t’i fitojë fryma, dëshira e papërmbajtshme për ndryshim dhe jo një njeri i vetëm. Por duhet që fryma, dëshira të tejkalojnë gjykata, institucione, patronazhistë, arbitra me shqisa selektive, krimin e ushqyer nga pushteti, mafien, median e kapur, buxhetin e shtetit, kursin e euros, tentacionet e parave lumë në mes të varfërisë…dhe kur për frymën është investuar të mpaket duke e larguar me avionë, gomone e kamionë sado e fortë të jetë, i gjendet lehtë litari për t’ja shtrënguar shpirtin nga ku del.

Zgjedhjet e 2023, përpos çdo analize të mësipërme, që i rri për shtat, u vranë në fund korriku 2020, bashkë me paktin e 5 qershorit që e mori lumi pa asnjë pasojë e fajtor. Me shumë deputetë, që nuk shkelën një ditë në zonën elektorale të konsultohen për partinë, për fatin e saj me njerëzit, që i zgjedhin. Thjesht se ata emërohen. Dhe ceni i atyre zgjedhjeve i bënte këto lokale edhe më të vështira. Me zona të tëra ku deputetët bënin o sehir, o lojën e kundërshtarit, o hynin në garë për ta humbur, por për t’i shtrydhur benefitet (çfarë ushtrimi “dinjitoz” demokracie).

Ndaj nuk i fitoi e as i humbi një emër këto zgjedhje, por gjithçka më lart. Nëse duhet gjykuar, duhet bërë për çdo element. Nëse jemi të drejtë, të sinqertë e po jetojmë e rrisim fëmijë këtyre anëve”, shkruan Sonila Meço nga portali i familjes Berisha.

Të paktën është Sonila dhe Çim Peka, që ngushëllojnë sadopak Doktorin me shkrimet e tyre!

Advertisement