Connect with us

Aktualitet

Sot emër i njohur i krimit, por dikur Fatjon Murati garonte në ring

Fatjon Murati dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit të regjistruar mbrëmjen e djeshme në lokalin e tij në “Don Bosko”, ku mbeti e vrarë banakierja e lokalit Mimoza Paja 58 vjeç, si dhe u plagosën pesë persona të tjerë mes tyre edhe një e mitur 10-vjeçare.

Dyshohet se atentati ka qenë si pasojë e një hakmarrje mes grupeve kriminale. Pak kohë më parë Fatjon Murati, u arrestua pas shpalljes në kërkim për një baze armësh të zbuluar në Tiranë, teksa në makinë u kap së bashku me Indrit Doklen dhe kunatin e këtij të fundit Gentjan Reçin.

Por, ai u lirua sërish dhe ditën e djeshme kishte thyer masën “arrest shtëpie”, pasi nuk ndodhej as në banesën e tij dhe dyshohet se ndodhet jashtë shtetit.

Po kush është Murati? Në botën e sportit e njohin mirë djaloshin nga Kukësi. Ai ka qenë boksier profesionist. Madje ka garuar për titullin kampion bote në Federatën IBF Junior kundër Francesco Versaçit.

Asokohe ai jetonte në Gjermani dhe në atë përballje do të shkonte pa asnjë humbje. Murati ka nisur karrierën si boksier profesionist në vitin 2008 në Mynih të Gjermanisë. Fillimet e veta i ka pasur në Shqipëri, ku kishte rënë në sy për talentin e tij në këtë sport. Pas Luan Krasniqit dhe Nuri Seferit, Murati ishte boksieri i tretë shqiptar që ndeshej për një titull aq të rëndësishëm.

Karrierën e tij në këtë sport nuk e vijoi për shumë vite. Ndërkohë në vendin tonë u përmend vitin e shkuar në atentantin mafioz të ndodhur në mbikalimin e Fushë Krujës ku mbetën të vrarë 3 persona. Prokuroria dhe Gjykata nuk arritën të provonin fajin e ish boksierit, megjithatë ai u ndalua për armëmbajtje pa leje, ku vuante dhe masën e sigurisë arrest shtëpie.

Advertisement