Aktualitet
Sot Fitër Bajrami, mijëra besimtarë myslimanë falin namazin në sheshin ‘Skënderbej’
Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Fitër Bajramin, festa më e rëndësishme e këtij komuniteti, ose siç njihet ndryshe edhe Bajrami i Madh. Mijëra besimtarë shqiptarë, kryen faljen e namazit në orën 06:55 në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë, nën drejtimin e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu.
Spahiu tha se familja shqiptare nuk po jeton ditët më të mira. Mesazhin e tij e përqndroi edhe tek dhuna në familjes, ku bëri thirrje që të ndalet dhuna ndaj grave, për të cilat tha se janë bërthama e familjes dhe shoqërisë.
Koha në të cilën po jetojmë na ka vënë përballë sfidash të shumta. Familja nuk po përjeton ditët e saj më të mira. Dhuna brenda saj është një fenomen që të trazon shpirtin. Njerëzit që kanë humbur durimin i bëj thirrje që të ndalin agresivitetin dhe të qetësojnë shpirtrat e tyre duke u kthyer nga e mbara nga rruga e Zotit. Mos i prekni gratë, ato janë shpirti i bërthamës së shoqërisë, familjes. Po jetojmë në një kohë krize morale, që kërkon përkushtim, besim te zoti për t’ tejkaluar ato.
Fenomene si migracioni dhe ulja e lindshmërisë po e mpakin familjen. Ti kushtojmë rëndësi bashkëpunimit e harmonisë, të punojmë për të ecur para që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e rinisë, dëshirat e prindërve. Shoqëria ka nevojë për një familje të shëndetshme”, tha Spahia.
Besimtarët myslimanë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, pas 30 ditësh agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Për besimtarët kjo ditë shënon shpërndarjen e lëmoshës, solidarizimin me të varfrit në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.
Bajrami u festua edhe në qytetet e tjera të vendit, ku besimtarët kryen faljen e namazit. Festimet vijojnë më pas me drekën e Bajramit e më pas me vizita mes miqve dhe të afërmve. Urimet për këtë ditë të rëndësishme nuk munguan as nga politika.