Kronike
Sot kreu një atentat me dy viktima dhe dy të plagosur, autori para disa vitesh ishte dënuar me 5 vite burgim, por u la i lirë

Ragip Gila, 29-vjeçari që sot vrau 2 persona në Shkodër dhe plagosi 2 të tjerë, është liruar nga qelia pak kohë më parë ku vuante dënimin për prodhim dhe shitje droge.
29-vjeçari u dënua fillimisht nga Gjykata e Shkodrës me 5 vite burgim. Në aplikimi të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 3.4 vite burg.
Gila qëndroi në qeli më shumë se 1 vit, deri në sa në 4 mars të këtij viti, Ragip Gila u lirua përfundimisht.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, Ragip Gila u lirua me kusht ng a Gjykata e Shkodrës. Dënimi i tij u pezullua dhe për 5 vite do të ishte në shërbim prove.
Në vendimin e dhënë, specifikohen edhe kushtet e shërbimit të provës.
“Vënia në provë e të pandehurit Ragip Gila për në periudhë kohe prej 5 vjet, me kusht që gjatë kohës së provës ai të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kohë së provës, i pandehuri Ragip Gila të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër. Urdhërohet i pandehur Ragip Gila të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë”, thuhet në vendimin e arsyetuar të gjyqtarit Albert Keraj.
Paradoksi qëndron se 6 muaj pas lirimit nga qelia dhe vendosjen e tij në shërbim prove, Ragip Gila vrau 2 persona në mes të Shkodrës dhe plagosi 2 të tjerë.
Të vrarë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.
Vetë autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes.

