Connect with us

Kronike

Sot mbahet vazhdimi i seancës konstituive në Kosovë

Një ditë pas publikimit të Aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, Kryeparlamentari Dimal Basha ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet sot shkruan Reporteri.net

Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb. Ajo do të fillojë në ora 10:00.

Deputetët kanë afat 12 ditë për ta zgjedhur nënkryetarin serb, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që u publikua i plotë dje. Sipas Kushtetueses, zgjedhja e nënkryetarit serb është parakusht për konstituimin e Kuvendit

Sipas vendimit, nuk përbën shkelje nëse nënkryetarët votohen ndaras, meqë votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë.

“Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vëren se bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në vendim.

Megjithatë, Gjykata ka theksuar se propozimi për nënkryetar serb, duhet të bëhet nga shumica e deputetëve, e që i bie në këtë rast, Lista Serbe.

“Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit Serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb”, thuhet në vendim.

Advertisement