Connect with us

Kosova

Sot nis gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, akuzohen për krime lufte

Ditën e sotme në Gjykatën e Hagës nis gjykimi ndaj katër ish-krerëve të lartë të UÇK-së, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgimin e Gjykatës Speciale që prej vitit 2020. Pas marshimit që u mbajt një ditë më parë në Kosovë, ku mijëra njerëz u mblodhën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, një tjetër protestë është thirrur sot para Gjykatës Speciale.

Ish-krerët akuzohen për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Dhomat e Specializuara të Kosovës njoftuan se është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

“Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale për këto krime.

Sipas njoftimit, në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Sipas të dhënave të dhomave të specializuara, në proces do të dëshmojnë 140 persona. Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve, do të fillojë më 11 prill 2023.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi edhe ndaj ish-pjesëtarit tjetër të UÇK-së, Pjetër Shala. Ndërsa, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e kishte shqiptuar dënimin e parë për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë. Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Advertisement