Connect with us

Politike

Sot seanca në Kushtetuese për pezullimin e Ballukut! GJKKO nuk dërgon përfaqësues

Qeveria dhe SPAK do të përballen sot në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Seanca në Kushtetuese me relator Sandër Becin do të nisë në orën 10:00. Edhe pse në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohet çështja për pezullimin e Ballukut, ajo nuk është palë dhe nuk do të jetë e pranishme. Kjo sepse Edi Rama i ka vënë firmën e tij kësaj çështjeje. Ndërkohë, as GJKKO nuk do të dërgojë përfaqësues me argumentin se pjesëmarrja e tyre si palë do cenonte parimin e ndarjes së pushteteve. Përfaqësuesit e qeverisë do të jenë përballë dy prokurorëve të SPAK Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Presidenti i Republikës do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali këshilltar, Hemioni Braho shef kabineti dhe Eriola Shia Drejtore e përgjithshme, ndërsa Kuvendi nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi. Numri 2 i qeverisë aktualisht është rikthyer në detyrë pas një vendimi të Kushtetueses, deri në shqyrtimin e plotë të ankimit të kryeministrit Rama dhe shpalljes së vendimit përfundimtar nëse do ta ‘lejojë’ ose jo precedentin e krijuar nga GJKKO me pezullimin e një anëtari qeverie.

Kryeministri Rama iu drejtua Kushtetueses me argumentin se vendimi i GJKKO-së ishte një ndërhyrje brutale të një pushteti si ai gjyqësor, në kompetencat e një pushteti tjetër, si ai ekzekutiv. Ai i kërkon Kushtetueses që të zgjidhë konfliktin e kompetencave GJKKO-Këshilli i Ministrave, pra nëse Gjykata e Posaçme ka ekskluzivitet për të pezulluar nga detyra një anëtar qeverie, duke qenë se propozimin e ministrave Kushtetuta ia njeh si ekskluzivitet Kryeministrit.

Kjo është vetëm një prej pikave të ankimit të Ramës. Pasi të sqarojë mosmarrëveshjen e kompetencave, Qeveria kërkon nga Gjykata shfuqizimin e vendimit të GJKKO për masën ndaj Ballukut, vetëm për pjesën e pezullimit të saj nga detyra e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, pasi masa tjetër e ndalimit të lëvizjes jashtë vendit nuk është ankimuar. Në ankim, kryeministri i kërkon Gjykatës Kushtetuese të interpretojë dhe nenin 103 të Kushtetutës, i cili i njeh anëtarit të Qeverisë imunitetin e deputetit.

Nga ana tjetër GJKKO argumenton se pezullimi i Ballukut nga detyra është i ligjshëm. Gjyqtari Erion Çela argumenton se përse është e nevojshme masa e sigurisë ndaj saj duke renditur mes të tjerave, mundësinë e ndërhyrjes dhe ndikimit në prishjen apo asgjësimin e provave, rrezikun e largimit, apo dhe të përsëritjes të së njëjtës vepër penale. Masa e pezullimit nga detyra, sipas GJKKO-së, e respekton Kodin e Procedurës Penale, pasi edhe pse “e penguar” për qenë në qeveri, Balluku mund të vijojë pa probleme aktivitetin e saj si deputete në Kuvend.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese do të vijë në një kohë kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend edhe kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut. Kjo lëvizje e SPAK erdhi menjëherë pasi Kushtetuesja e ktheu Ballukun në detyrë, ndërsa mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve është më datë 28 janar.

Belinda Balluku është e pandehur për tenderin me vlerë 190 mln euro të Tunelit të Llogarasë, nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe po verifikohen edhe tenderë të tjerë.

Advertisement