Kosova
Sot tre vite nga Marrëveshja e Uashingtonit/ Grenell: Gjërat mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar
Ish-i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, me rastin e tre vjetorit të Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020, tha se pas largimit të Donald Trump nga posti i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan.
Në një deklaratë me shkrim, Grenell ka theksuar se është dashur ta pranojë me pikëllim.
Sipas tij, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë dëmtuar për shkak të braktisjes së lidershipit diplomatik, politik dhe ekonomik nga presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden.
Grenell theksoi se SHBA-ja ua ka borxh rinisë së Kosovës dhe Serbisë krijimin e një të ardhmeje më të mire, dhe deklaroi se
“Në dy vitet e gjysmë të fundit ka pasur një rritje të dhunës mes palëve, dhe varësisht nga kjo, trupat e NATO-s janë shtuar dhe perspektivat ekonomike, veçanërisht në Kosovë, janë dobësuar”
Vendimi i Presidentit Biden për t’ia lënë, siç tha ai, përfshirjen diplomatike dhe ekonomike amerikane në rajon “paralizës analitike të Bashkimit Evropian”, sipas tij, vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat.
Sipas ish emisarit amerikan, duhet bërë më shumë nëse duam paqe dhe prosperitet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe se Ballkani nuk është prioritet për presidentin Biden.