Juristi Kreshnik Spahiu për Report Tv thotë se gjykimi penal i ish-presidentit Ilir Meta duhet të bëhet publik. Në emisionin ‘5 Pyetjet’ me gazetarin Ilir Babaramo, juristi Spahiu thotë se Prokuroria duhet të bindë publikun dhe jo të fitojë betejën me metën.
Sipas Spahiut gjykimi i çështjes duhet të jetë me dyer të hapura dhe të garantohet transparenca.“Jemi përballë gjykimit të ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të Kuvendit. Njeriu që ka qenë në krye të shtetit për 34 vite. Pavarësisht akuzave politike, ky duhet të jetë një gjykim model, ku i pandehuri, shtetasi Ilir Meta duhet të gëzojë të gjitha të drejtat, sepse prokuroria duhet të bindë publikun, nuk duhet të fitojë betejën me Ilir Metën. Masa e sigurimit është bërë me dyer të mbyllura. Unë shpresoj që gjykimi në themel i çështjes të bëhet publik dhe me dyer të hapura. Rastet përjashtimore janë vetëm kur është sekret shtetëror dhe ku rrezikohet jeta e dëshmitarëve, gjë që në disa seanca mund të jetë me dyer të mbyllura. Por në tërësi duhet të jetë proces publik ku të garantohet transparenca si një garanci, ku të jepet shembull që prokuroria të orientohet në pretencë dhe akuzë mbi fakte dhe prova dhe gjykata duhet të garantojë një gjykim të paanshëm larg ndasive apo presionit politik. Për mua është më e rëndësishme transparenca e publikut dhe medias se sa e diplomatëve”, tha Spahiu në Report Tv.