Connect with us

Politike

Spahiu: Kjo fushatë e ftohtë dhe pa entuziazëm! Në sheshe ulen në karrige si në kinema

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë më të ftohtat, pa entuziazëm dhe ku të duket sikur njerëzit ulen nëpër karrige në sheshe, sikurse të ishin në kinema.
Nuk ka shpresë dhe motivim, nuk ka entuziazëm mes mbështetësve, sidomos atyre që presin ndryshimin, sikurse ndodhte në fushatat e kaluara. Qytetarët janë lodhur me forcat e mëdha, por një tjetër faktor është edhe “një rezultat i parashikueshëm” i zgjedhjeve.
Kështu u shpreh juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu

“Ka shumë karakteristika kjo fushatë nga të tjerat. E para, është më e ftohtë në 35 vite. Nëse do shohim të tjerat, ka pasur entuziazëm, shpresë, të qeshur, të zjarrtë, me thirrje e brohoritje, me pjesëmarrje të lartë”, shprehet ai.

Dhe më tej shpjegon dy faktorët e tjerë ndikues:

“Mendoj se ka disa faktorë. Konsumi i pari. Njerëzit janë mësuar dhe lodhur me këtë fenomen. Pastaj politika vetë, ku politika ka zgjedhur rrugën e botës virtuale, ku merren edhe me njëri-tjetrin, nxjerrin surratin e njëri-tjetrit. E treta dhe më e rëndësishëm, kemi një rezultat të parashikueshëm në dukje. Pjesa më e zjarrtë që pret ndryshimin mungon. Kjo u vu re edhe te hapjet e fushatave të partive”, analizon Spahiu.

Madje ai metaforizon edhe fushatën e partive me kinematë.

“Po t’i shohësh sallat, të gjithë rrinë e dëgjojnë në salla të mbyllura, duartrokasin, pa brohoritje e entuziazëm. Ulen nëpër karrige në sheshe, sikur të jenë në kinema. Kjo vihet re edhe te partitë e reja edhe të vjetrat”, komenton juristi.

Advertisement