Politike
Spahiu: Protestat radikale e forcojnë PD brenda llojit, por e largojnë nga votat qytetare
Juristi Kreshnik Spahiu ka komentuar kaosin e opozitës në Kuvend dhe djegien e karrigeve. Spahiu thotë se ky konflikt mes PS dhe PD duhej të ishte shmangur me kohë.
Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço, Spahiu tha se Sali Berisha dhe PD duhej të kishin negociuar në marrëveshjen për amnistinë penale edhe veprën për të cilën është dënuar Ervin Salianji, për kallëzim të rremë.
“Ky konflikt mundet dhe duhej të ishte shmangur në kohë. Se kuptoj përse ka ardhur në këtë ditë moment për tu shmangur konflikti mes PD dhePS. Ka qenë moment juridik në të cilën PS dhe PD votuan amnistinë penale. Në atë moment duhej me çdo kusht që PD të kishte negociuar amnistinë penale për veprën penale me të cilën ishte dënuar Salianji. Sa kohë ka pasur vepra penale më rrezikshmëri shoqërore më të madhe për të cilën është dënuar Salinji, se kuptoj përse nuk është negociuar dhe që vepra penale dhe vendimet e shkallës së parë nuk janë përfshirë. Nëse kjo do ishte bërë pjesë e një amnistie penale, sot s’do kishim Salianjin në burg. Njeriu që po i vuan pasojat më shumë se deputetët që konfliktohen në parlament, është vetë Salinaji që sot ndodhet në burgun e Fierit”, tha Spahiu në Report Tv.
Juristi Kreshnik Spahiu thotë në Report Tv se protestat radikale e forcojnë Partinë Demokratike brenda llojit të vet. Në emisionin ‘Frontline’, Spahiu thotë se protestat radikale të PD nuk ndikojnë në elektoratin gri.
“Nuk mendoj që me këtë lloj mënyrë proteste, PD rritet tek elektorati gri. Ruan votat e demokratëve, por a i rrit votat tej demokratëve? Unë them jo. Rinia e sotme, studentët e sotëm nuk janë studentë që mbështesin djegien e karrigeve as këmbët e karrigeve ndaj një gruaje në kuvend. Nuk janë forma që lartësojnë profilin e demokratëve. Koha do tregojë në maj 2025 nëse kanë zgjedhur mënyrën e drejtë apo të gabuar, unë mendoj se kjo rrugë s’do t’i rrisë jashtë llojit të tyre”, tha Spahiu