Politike
SPAK hedh dritë mbi skemën e dyshuar të pastrimit të parave nga Meta dhe Kryemadhi
Në dosjen hetimore ndaj SPAK ngrihen dyshime për pastrim parash ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi. Sipas prokurorisë së Posaçme rezulton se çifti Meta-kryemadhi kanë blerë pasuri të paluajtshme, me para që dyshohet se rrjedhin nga aktivitetet e paligjshme. Për të mbuluar burimin e dyshimtë të pasurive, Fatime Kryemadhi, nëna e deputetes së Partisë së Lirisë, ka marrë kredi.
PRETENDIMI I SPAK:
“Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve shuma parash me origjinë korruptive, apo të pajustifikuara, ndërkohë që në këtë periudhë Ilir Meta akuzohet për një fakt korrupsioni në lidhje me shtetasin Kastriot Ismailaj, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare. Më pas është bërë shlyerja e kredive nëpërmjet depozitimit cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhi ose me deklarimin e burimeve të paqena, dhe është arritur të futet në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parash prej 846 mijë eurosh”.
Prokurorët e posaçëm argumentojnë se gjatë marrjes në pyetje, Fatime Kryemadhi nuk ka dhënë shpjegime të besueshme dhe është përpjekur ti justifikojë paratë me të ardhura nga huatë përmes deklaratave noteriale, të cilat janë përpiluar pas thirrjes së saj në prokurori.
Në dokumentin e SPAK thuhet se Fatime Kryemadhi nuk ka pasur mundësi për të krijuar të ardhura në shumën 300 mijë euro, para të cilat i ka përdorur për të likuiduar kredinë e marrë e cilën e përdori për të financuar Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën për blerjen e apartamentit, regjistruar në emër të një personi të tretë.
PRETENDIMI I SPAK:
“Rezulton se ajo i ka marrë kreditë bankare më qëllim për të futur në sistemin bankar nëpërmjet pagimit të kësteve të kredive shuma monetare, të cilat burojnë nga veprimtari korrupsioni. Pra shumat e ligjshme të përfituara nga kreditë janë kthyer në bankë me para të paligjshme të përfituara nga veprimtari korruptive”.
Ish-presidenti Ilir Meta i cili po mbahet nën arrest dhe ish-bashkëshortja e tij Kryemadhi dyshohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.