Connect with us

Politike

SPAK në shënjestër/ Dumani paralajmëron: Përpjekjet për të cënuar pavarësinë e Prokurorisë

 Kreu i SPAK Altin Dumani ka marrë pjesë sot në tryezën e diskutimit “Vlerësimi i Arkitekturës Institucionale në funksion të Performancës dhe Integritetit të Prokurorisë së Posaçme: Garancitë për Pavarësi dhe Mekanizmat e Llogaridhënies Organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes”.

Gjatë fjalë së tij, Dumani tha se ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale të SPAK nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve.

Ai theksoi se vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë. Gjithashtu kreu i SPAK tha se janë përpjekur të trajtojnë çdo rekomandim të Kuvendit.

Pjesë nga fjala e Dumanit:

Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me instucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi që dmth se prokurorët komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera, pa u përfshirë drejtuesit i SPAK, përjashtuar në disa momente hetimi. Dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore.

Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje cilado qoftë ajo. Vlerësoj marrjen në konsideratë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK. Nuk jam dakord me këtë vlerësim, pjesërisht i përmbushur, por roli aktik i këtij mekanizmi duhet të gjëjë më shumë pasqyrim në raportet vjetore të SPAK.

Çdo rekomandim i Kuvendit jemi përpjekur ta trajtojmë. Po të shikoni raportet e SPAK, do të gjeni edhe një shpjegim sesi janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo ata duhet të bazohen në analiza të thelluara dhe objektive, në mënyrë që të sigurohet komunikim institucional.

Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.

Advertisement