Aktualitet
SPAK vë në sekuestro tokën ku Artan Gaçi do të ndërtonte kompleksin turistik
TIRANE- GJKKO me kërkesë të SPAK vuri në sekuestro dhe tokën prej 5080 m2 që sipas SPAK u tjetërsua nga zyrtarët e bashkisë së Himarës dhe që ishte pjesë e 10 mijë metrave katrorë ku Artan Gaçi do të ndërtonte kompleksin turistik.
“E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat” thuhet në njoftimin e SPAK
Sekuestroja vjen në kuadër të hetimeve për tjetërsim pronash për të cilën më 23 mars u arrestua ish kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës Jorgo Goro. SPAK po heton pasi ka dyshime se Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi për ndërtimin e kompleksit turistik.