Aktualitet
SPECIALE l Një jetë nëpër ambasada/ Çfarë përfiton Kosova me liberalizimin e vizave?
Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. “Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola. Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij. Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar. “Liberalizimi i vizave tashmë është realitet”, tha Qeveria e Kosovës në një komunikatë dërguar mediave. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi këtë vendim si “fitore” jo vetëm për Kosovën, por edhe “për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë”. “Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi ajo në Facebook.