Connect with us

Kosova

Specialja anulon të gjitha seancat për Thaçin në nëntor dhe dhjetor

Të gjitha seancat e planifikuara për muajin nëntor dhe dhjetor në gjykimin ndaj Hashim Thaçit janë anuluar, ndërsa gjatë javës në vijim Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet të marrin një vendim mbi hapat që do të ndërmerren më tej.

Lajmi është bërë i ditur nga Specialja përmes një komunikate për media.

“Pas përfundimit të Konferencës së Statusit të sotëm, ju njoftojmë se të gjitha seancat e planifikuara më herët për në nëntor dhe dhjetor në gjyqin Thaçi janë anuluar dhe janë hequr nga Kalendari i Gjykatës. Siç u përmend gjatë Konferencës së Statusit, Paneli Gjyqësor synon të lëshojë një vendim mbi hapat e mëtejshëm të procedurës më vonë gjatë kësaj jave”, thuhet në njoftim.

Të mërkurën, Specialja kishte thënë se gjykimi i dytë ndaj ish-presidentit të Kosovës, në çështjen që lidhet me administrimin e drejtësisë, pritet të nisë shumë më herët sesa kishte kërkuar mbrojtja e tij.

Seanca fillestare ishte caktuar për datën 15 dhjetor, duke e paraprirë me rreth tre muaj afatin e propozuar nga ekipi mbrojtës. Ndërsa, avokatët e Thaçit kishin kërkuar që gjyqi të startojë pas datës 2 mars të vitit 2026, me arsyetimin se procesi kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duhet të përfundojë më parë.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2024, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ngriti aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve duke i akuzuar ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Pos Thaçit, aktakuzë ishte ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.

Thaçi, Kilaj, Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e Speciales.

Advertisement