Politike
“Spektakël mediatik…”/ Rama komenton vrasjen e 14 vjeçarit: U rivra disa herë
Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët, u shpreh se u bë spektakël mediatik dhe politik në lidhje me vrasjen e Egli Progës në Pogradec dhe 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” në Tiranë. Rama deklaroi se u thanë të pavërteta dhe pati sajime në lidhje me këto dy ngjarje të rënda. Kreu i qeverisë theksoi se ky vit ishte viti me numrin më të ulët të vrasjeve
Edi Rama: Mbyllim vitin me numrin më të ulët të vrasjeve. E kemi nisur me një vrasje në 3 ditë kur morëm detyrën dhe kemi ardhur duke e ulur, por jeta mediatike dhe politike kanë nevojë për të vrarë dhe spektakël. Këtë vit ka pasur dy spektakle që për nga intensiteti dhe manipulimi i publikut kanë qenë për t’u lavdëruar. Por, në raport me të vërtetën u tregua se si gënjehet publiku. Spektakli i pas vrasjes në Pogradec, që u karakterizua nga sajesa pas sajesash në aspektin e integritetit të shërbimit ndaj publikut, duke nisur nga politikanët e pastaj o burra kush flet më shumë në drejtim të gabuar. Spektakli tjetër, edhe më i shëmtuar, ka qenë ai me 14-vjeçarin. U sajuan vrasës të tjerë, u sajuan edhe thika të tjera, u treguan versione kriminale. Unë e quaj kriminale që në kushtet e atyre emocioneve për humbjen e një jete aq të re, ti të furnizosh publikun me helm. T’i thuash publikut që policia ka fshehur një vrasës tjetër, që vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të BKH-së dhe për këtë arsye e kanë fshehur. Ky është krim moral. Bëhet fjalë për dy raste, dy të vdekur që u rivranë disa herë.