Politike
Spiropali në çdo cep të qarkut Tiranë: ‘Madhështorët” dikur të paprekshëm duan të shkrijnë SPAK

Drejtuesja politike e qarkut Tiranë, Elisa Spiropali, duket shumë e vendosur për të fituar 20 mandate në qarkun e Tiranës. Për këtë objektiv, ajo po zhvillon pa ndërprerje një fushatë kapilare dhe me ritëm të lartë në katër bashkitë e qarkut: Kavajë, Kamëz, Rrogozhinë dhe Vorë.
Fushata përfshin takime të larmishme: derë më derë në familje, vizita nëpër biznese, bashkëbisedime me qytetarë,profesionistë, fermerë, takime mbresëlënëse me gra e vajza, aktivitete motivuese me të rinj dhe votues për herë të parë etj.
Spiropali, bashkë me kandidatët Pandeli Majko, Ilva Gjuzi dhe Eldi Çepeli, po zhvillon takime intensive dhe lagje më lagje në qytetin e Kavajës dhe në fshatra. Ditët e fundit takime të tilla u zhvilluan me banorë të lagjeve 1, 3, 5, 6, banorë të komunitetit egjiptian, si edhe në Karpen, Golem, Luz të Vogël, Gërmenj, Kanaparaj, Zik-Xhafaj, Rrikaj, Çetë, Momël, Qerret, Vorrozen, Blerimaj, Bago, Rrakull, etj.
“Kavaja është gati të shënojë një nga fitoret më të bukura në historinë e Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e 11 majit ajo do t’i bashkohet fitores së madhe të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës dhe në Shqipëri. Skuadra e Kavajës është oferta më e mirë dhe një vlerë e shtuar për qarkun e Tiranës.
Qytetarët e Kavajës janë të vetëdijshëm për zgjedhjen që duhet bërë. Ata janë me interesin e tyre, të qytetit dhe të Shqipërisë, jo me hallin e një individi dhe të familjes së tij biologjike dhe politike.
Kavajasit do të votojnë për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, që të hyjnë në Europë, jo me ata që të zhyten në kënetë dhe të bien në gropë.
Partia Socialiste ka dhënë prova konkrete për zhvillimin e Kavajës. Tani është koha për zhvillim, dinjitet dhe një vend në Bashkimin Europian. Kavaja është pjesë e Planit të madh të Rritjes së BE-së, një mundësi e artë edhe për qytetin që të rritet, të zhvillohet dhe të jetojë më mirë.
Kavaja nuk është më peng i askujt dhe në 11 maj, kavajasit do të votojnë përtej ndasive partiake, për Kavajën dhe Shqipërinë europiane.
Trashëgimia e kundërshtarëve tanë janë grabitja e zgjedhjeve në vitin 1996, kaosi në të cilën futën Shqipërinë në vitin 1997, jetët e humbura të qytetarëve dhe korrupsioni i Gërdecit dhe vrasjet shtetërore të protestuesve paqësorë në 21 janar.
Krimet që kanë bërë dhe dëmet që u kanë shkaktuar shqiptarëve i shpie “madhështorët” drejt shkrirjes së SPAK-ut, zhbërjes së reformës në drejtësi dhe mbajtjes së Shqipërisë jashtë Bashkimit Europian.
Trashëgimia jonë është zhvillimi e mirëqenia, shtet-formimi, drejtësia e pavarur dhe përkushtimi për qytetarët. Angazhimi ynë është punë e zhvillim, premtimet e tyre janë deti në Qerret, kos; perëndimi i diellit, pilaf.”, është shprehur Spiropali para qytetarëve.
Spiropali, bashkë me kandidatët Pandeli Majko dhe Antonela Dedej, ka zhvilluar takime të shumta edhe në Bashkinë e Rrogozhinës, në lagjet e qytetit si edhe në Luz të Madh, Gosë, Sinaballaj etj.
Në takimin me qytetarët e Rrogozhinës, Spiropali shprehu besimin në mbështetjen e fortë për Partinë Socialiste:
“Rrogozhina ka qenë dhe do të jetë krah nesh. Pas 11 majit, ne do të menaxhojmë fitoren, ndërsa kundërshtarët tanë do të përballen me pasojat e gabimeve të tyre dhe me drejtësinë që më në fund, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, po funksionon e pavarur. Rrogozhina kanë besim të palëkundur te PS dhe Edi Rama për realizimin e ëndrrës europiane.”, theksoi Spiropali.
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, si kryefjala e fushatës së zgjedhjeve të 11 majit, do të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe turizmin në zonat e Rrogozhinës. Kjo zonë ka potenciale të mëdha për ndryshim, investime e shërbime më të mira, nga bregdeti në qytet, e deri në kodrat e mrekullueshme. Talenti dhe sakrificat e sipërmarrësve lokalë do të mbështeten nga investimet publike në infrastrukturë e shërbime, për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve.’, u shpreh Spiropali.
Në Luz të Madh Spiropali u ndal te transformimi që Partia Socialiste po i sjell zonës:
“34 vjet banorët e Luzit të Madh votuan ata që nuk iu kthyen kurrë sytë. Sot, ne marrim angazhime dhe përgjegjësi të realizueshme, jo premtime boshe.”
Spiropali nënvizoi se “Qeverisja e PS-së ka rritur prestigjin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe e ka sjellë vendin në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian, një mundësi e madhe për të gjithë qytetarët. BE është një perimetër mundësish e të drejtash dhe shqiptarët do të kenë dinjitet e barazi me qytetarët europianë.”
Spiropali, e shoqëruar nga kandidatët Lindita Nikolla, Halil Koloshi dhe Sofika Lleshi, vijon takimet edhe në Bashkinë Kamëz, në Bathore dhe Lagjen nr.2 Frutikulturë, ku bashkëbisedoi me familje, qytetarë dhe sipërmarrës.
“Kamza është bashkia me ritme zhvillimi e përparimi ndër më të lartat në vend. Ndryshimet e thella të Kamzës në vetëm pesë vite dëshmojnë forcën transformuese të socialistëve dhe na bëjnë të gjithëve krenarë dhe optimist.
Me objektivin tonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, më shumë do të bëjmë për Kamzën dhe të gjitha bashkitë dhe komunitetet lokale të Shqipërisë.”, theksoi Spiropali.

