Connect with us

Politike

Spiropali thumbon Vokshin: Unë s’kam takuar njerëz me precedentë penalë, ti mund të kesh takuar

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i është përgjigjur akuzave të deputetes demokrate, Albana Vokshi në seancën e sotme plenare. Vokshi tha se 10 ditë para zgjedhjeve kishte raportuar me emra të gjithë anëtarët e bandave të Xhabaftëve, ata që sipas saj bashkëpunonin dikur me kryeparlamentaren.

Kjo e fundit u shpreh në replikën e saj për deputeten demokrate se ato që po fliste ishin shpifje dhe sajime kundrejt saj. Spiropali u shpreh më tej se ndoshta Vokshi mund t’i ketë takuar vetë keta persona për të cilët foli.

REPLIKAT:

Vokshi: Nuk kishte vijë ndarëse të partisë nga shteti. Keqpërdorimi i burimeve publike, mijëra punonjës të administratës u detyruan të angazhohen në fushatë përmes një rrjeti patronazhistësh. Në Vorë ishte i mirëorganizuar rrjeti dhe me bexh, çdo votues i Vorës u dhunua në të drejtën për të votuar të lirë. Unë kam dorëzuar 10 ditë para zgjedhjeve, kam raportuar me emra të gjithë anëtarët e bandave të Xhabaftëve, atë që bashkëpunonte dikur Elisa dhe tani Blendi Gonxhe, ku ishte policia? Çdo votues në Vorë ishte i vetëm përballë një bande kriminale.

Spiropali: Ti po shpif, ti po sajon në emrin tim. Ndoshta ti dhe ai që ke në krah keni më shumë njohje me njerëz që unë as nuk i njoh as me fytyrë e as me emër, as kush janë as çfarë përfaqësojnë. Me ju në listën e mbyllur të Partisë Demokratike, sigurisht ky rezultat do ishte. I konsideroni njerëzit dele, budallenj. Emrin tim ti personalisht nuk e përdor dot, nuk shpif dot për mua. Ti nuk sajon njohje të miat me këdo. Sa kohë ju të keni këtë gjuhë këtë qasje ndaj Shqipërisë, edhe aty në Bruksel paturpësisht, ku flisni me gjuhën e atyre që historikisht as nuk guxojnë të flasin për Shqipërinë në atë mënyrë. Kjo është hera e fundit që unë u përgjigjem juve dhe qytetarët shqiptarë ua kanë dhënë përgjigjen me votë. Zoti t’ju falë se nuk dini ç’bëni andej në rrugët e botës, por populli e di mirë se ç’bëni dhe nuk ju ka falur.

Advertisement