Politike
Spiropali viziton Thaçin në Hagë, ndan detaje nga biseda: I përcolla mbështetjen nga qeveria dhe populli shqiptar
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ai po gjykohet së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Pas takimit, Spiropali deklaroi se e gjeti Thaçin në gjendje të mirë dhe të informuar për zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo theksoi se vizita kishte për qëllim përcjelljen e përshëndetjeve dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare për të gjithë ish-krerët e UÇK-së.
“Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi mirë, duke ndjekur zhvillimet në të dy vendet. I përcolla mbështetjen time, të Qeverisë Shqiptare dhe të popullit shqiptar”, u shpreh Spiropali.
Ajo tha se mbështet një proces të drejtë dhe korrekt gjyqësor, duke nënvizuar se lufta e UÇK-së “nuk mund të njolloset”, dhe se drejtësia duhet të prodhojë verdikt historikisht të drejtë.
Spiropali gjithashtu shprehu shqetësimin që themelimi i Gjykatës Speciale – i votuar nga institucionet e Kosovës – të mos kthehet në “të kundërtën e vet”, duke nënkuptuar rrezikun e një padrejtësie ndaj figurave të luftës.