Kosova
‘Spiunë’ të vegjël serb në Veri, identifikohen dhe ‘arrestohen’ nga policia
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës, kanë identifikuar në dy lokacione në Veri kamera vëzhguese të kamufluara për monitorim të lëvizjeve të qytetarëve – të cilat dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani. “Këto kamera dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë.
Lidhur me këtë rast janë të identifikuar dy persona të cilët janë me interes që të intervistohen nga ana jonë”, ka thënë Elshani Kamera ilegale ishin konfiskuar edhe në të kaluarën nga Policia e Kosovës.
Kamerat ishin identifikuar në katër komunat veriore të Kosovës e edhe në Shtërpcë, ato kanë qenë të vendosura në shtylla të ndryshme. Vendosja e tyre akoma nuk dihet për çfarë qëllime bëhet, e as nuk dihet nga kush vendoseshin, por përgjegjës për hetimet në këto raste është Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).
Në Kosovë, vendosja e sistemit të vëzhgimit me kamerë duhet të bëhet sipas kritereve ligjore të cilat janë përcaktuar në ligj. Që do të thotë që çdo përpunim i të dhënave, në këtë rast çdo regjistrim, në kundërshtim me kriteret ligjore konsiderohet shkelje e dispozitave ligjore.
Sipas AIP-së, hapësirat publike mund të vëzhgohen vetëm për nevoja të policisë. Edhe në vitin 2021, ishte raportuar se Serbia, përmes institucioneve të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes të kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.